Kur qeveria zapton shtetin, qytetari obligohet që ta çlirojë

E publikuar: 17/04/2015 16:15
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Përfaqësues të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, AAK-së dhe NISMA-s, u takuan sot për t’i koordinuar aktivitetet për protestën e nesërme që do të fillojë në ora 14:00 nga sheshi “Zahir Pajaziti”.

Kërkesat e kësaj proteste paqësore janë në përputhje me vullnetin dhe interesin e qytetarëve. Janë kërkesa që janë parashtruar nga vetë qytetarët, përmes peticioneve edhe angazhimeve të tjera të qytetarëve në politikë. Këto kërkesa janë të drejta dhe lehtë të realizueshme.

Përfaqësuesit e subjekteve opozitare dënuan gjuhën kërcënuese që po përdorë koalicioni qeverisës ndaj protestës që do të mbahet kundër kapjes së shtetit, gjuhë kjo përmes së cilës, ashtu siç e kanë kapur shtetin, po tentojnë ta kapin edhe lirinë e qytetarit.

Për këtë zaptim të shtetit nuk po flasim vetëm ne si subjekte opozitare, por të gjithë qytetarët e Kosovës, madje edhe vetë Kryeministri, i cili përveç se nuk po bën asgjë për ta hequr këtë zaptim, është vendosur si mburojë e këtij zaptimi. Kur vetë Qeveria e zapton shtetin dhe nuk lejon që shteti të funksionojë në bazë të interesave të qytetarëve, atëherë është obligim i qytetarëve që të angazhohen politikisht për ta çliruar shtetin nga zaptimi. Këtë e thotë edhe vetë slogani i protestës – “Kundër kapjes së shtetit”.

Atëherë, i ftojmë të gjithë qytetarët e Kosovës, që nesër, më 18 prill, të bashkohen në sheshin “Zahir Pajaziti”, prej nga në ora 14:00 nis marshi i kësaj proteste gjithëpopullore.