Kur pritet të nisë punën pasardhësi i Lajçakut, për dialogun Kosovë-Serbi?

E publikuar: 19/01/2025 22:59
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Peter Sorensen, pritet të jetë përfaqësues i posaçëm për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Vendimin duket se e ka marrë përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Kaja Kallas.

Emri i Sorensenit është dërguar për miratim edhe te vendet anëtare të bllokut.

Kandidatura e tij do të jetë në rend dite në takimin e Komitetit politikë dhe të sigurisë së BE-së (PSC), ku janë përfaqësuesit e të gjitha vendeve anëtare.

Përfaqësuesit e posaçëm të BE-së emërohen nga kryediplomatja e bllokut, por emërimi i tyre duhet të konfirmohet edhe nga vendet anëtare në Këshill.

Pritet që Sorensen të konfirmohet në postin e emisarit për dialog deri në fund të këtij muaji, në mënyrë që nga fillimi i shkurtit të nisë mandatin e tij.

Të dërguarit aktual, Lajçak, i skadon mandati më 31 janar.

Sorensen nga Danimarka ka përvojë të gjatë diplomatike në strukturat e BE-së. Ai aktualisht është Këshilltar i lartë në Shërbimin e Veprimit të jashtëm të BE-së (EEAS) për diplomaci digjitale.

Gjatë karrierës së tij diplomatike në BE, Sorensen ka ushtruar disa detyra në Ballkanin Perëndimor. Ka shërbyer si përfaqësues i posaçëm i BE-së për Bosnje e Hercegovinë dhe shef i zyrës së BE-së në Sarajevë. Po ashtu ka qenë edhe shef i delegacionit të bllokut evropian në Shkup.

Më herët, Sorensen ka punuar si këshilltar edhe në Kosovë në misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), ndërsa ka qenë edhe përfaqësues i posaçëm i përfaqësuesit të lartë të BE-së në Serbi. Në Ballkan, ai ka punuar edhe në misionin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Kroaci.

Përvoja e tij nga rajoni thuhet se ka qenë edhe një prej argumenteve se pse Kaja Kallas ka vendosur që ai të jetë pasardhësi i Lajçakut.

Ndryshe, gjatë mandatit gati pesëvjeçar të Lajçakut, Kosova dhe Serbia kanë arritur Marrëveshjen në rrugën drejt normalizimit të raporteve.

Marrëveshja, e cila nuk është nënshkruar, është ligjërisht e obligueshme për palët ka thënë blloku. BE-ja ka akuzuar Kosovën dhe Serbinë për mosnisjen e zbatimit të paktit, duke thënë se kjo do të ndikojë në rrugëtimin e dy shteteve drejt integrimeve evropiane.

Dialogu për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, ka nisur më 2011. Gjatë procesit janë arritur disa marrëveshje, por pak prej tyre janë zbatuar në terren.