Gjithçka nisi me një mesazh në portalin më të madh në FB, Jeta Osh Qef.
“Përshëndetje. Jam një vajzë 15 vjeç dhe desha t’ju pyes a lejohet të kesh marrëdhënie seksuale në këtë moshë të re?” shkruan vajza, që kërkon të mbetet anonime, edhe pse fotoja e profilit duket pak.
Kaq u desh dhe shpërtheu një lumë me komente.
“Ik moj shushkë dhe lexo ndonjë libër,” i përgjigjet një komentuese femër, që merr me qindra pëlqime.
Të tjerë i kujtojnë se jeta e saj do marrë tatëpjetën, disa thonë se është kujtuar vonë, pasi mikeshat e saj kanë fëmijë, etj.
Nuk mungojnë edhe ata që thonë se këtij vendi i duhet Enver Hoxha.
“Pyet Dritan Priftin,” ironizon dikush.
Më pas vjen një mesazh, i cili thekson se nuk duhet t’i sulemi kaq shumë vajzës.
“Bëni seks, po mos kurvëroni,” thotë mesazhi, duke i paraprirë lumit të kritikave që i vijnë online.
Megjithatë cilatdo qofshin reagimet, të tilla tema janë të rëndësishme për të diskutuar, sidomos nga media tradicionale.
“Le të flasim për seksin,” thotë titulli i filmit për seksologun e njohur amerikan Alfred Kinsey, njeriu që thuhet se hodhi themelet e revolucionit seksual.
Edhe ai atëherë u sulmua dhe u kritikua pse guxoi të fliste për disa tema tabu, që më vonë ndikuan kaq shumë vlerat kulturore dhe sociale në SHBA.