Shumica e marrëveshjeve të arritura në procesin e dialogut Kosovë-Serbi tash e 12 vjet vazhdojnë të mbesin pezull në kuptimin e implementimit. Implementimi i tyre por edhe arritja e një marrëveshjeje finale me njohjen reciproke në qendër është kërkesë e thënë me zë të lartë nga bashkësia ndërkombëtare e sidomos Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Njohës të zhvillimeve politike në vend janë të ndarë në mendime nëse së shpejti mund të arrihet një marrëveshje mes dy vendeve.
Ish-ministrja për dialog Edita Tahiri “Jam e kënaqur të takoj përfaqësuesin e Qeverisë së Republikës së Serbisë”. Kështu nisi takimi i parë Kosovë-Serbi më 8 mars të vitit 2011 në Bruksel. Ndër temat që u diskutuan në këtë takim por edhe në takimin tjetër pas disa ditësh ishin sundimi i ligjit, përfaqësimi rajonal e lëvizja e lirë. Kuvendi i Kosovës atëkohë nxorri një rezolutë ku autorizohej Qeveria Kosovës të zhvillonte dialogun teknik me Serbinë.
Pas disa takimesh u arritën marrëveshje të nivelit teknik. Brenda një periudhe u arritën 8 marrëveshje të nivelit teknik.
Ani pse marrëveshjet ishin arritur, zbatimi i tyre kishte hasur në vështirësi, shumë prej tyre nisën të implementoheshin me vonesë nga ana e Serbisë dhe vetëm pas presionit ndërkombëtar.
Problemet rreth zbatimit të marrëveshjeve por edhe ndryshimi i nomenklaturës politike në Serbi, shtruan nevojën dhe kërkesën e ndërkombëtarëve që dialogu të ngrihej në një nivel më të lartë. Në atë politik. Kuvendi i Kosovës në tetor të vitit 2012, pavarësisht kundërshtimeve të ashpra të opozitës kosovare arriti të dalë me një rezolutë e cila i hapi udhë dialogut politik.
Pas kësaj, kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaci u takua me kryeministrin e atëhershëm të Serbisë, Ivica Daqiq nën ndërmjetësimin e përfaqësueses së lartë të BE-së për politika të jashtme, Catherine Ashton. Me gjithë dallimet e mëdha, me 19 prill 2013 u arrit marrëveshja e parë e nivelit politik mes kryeministrave Thaci e Daqiq të ndërmjetësuar nga Ashton.
Ndërsa në vitin 2015 në Bruksel kryeministri I atëhershëm Isa Mustafa nënshkroi marrëveshjen e Asociacionit, marrëveshje kjo që erdhi pas asaj të viti 2013 kur kryeministër.
Ndërsa në shtator të vitit 2020, në Shtëpinë e Bardhë, nën udhëheqjen e presidentit të atëhershëm amerikan, Donald Trup u arrit marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike midis Kosovës dhe Serbisë.
Ndërsa kryeministri Albin Kurti javën që shkoi, ndonëse nuk vuri firmë, arriti një marrëveshje të ndërmjetësuar nga BE dhe SHBA për lirinë e lëvizjes.
Por sa ka gjasa që në një të ardhme të afërt mes dy vendeve të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse? Për këtë temë, njohës të zhvillimeve politike janë të ndarë në mendime.
“Jam i bindur që me këto elita, estblishmente që janë në fakt vazhdimësi e mendësisë së Milosheviqiane, më ektreme, neosocialiste, neokomuniste dhe neofashiste të asaj kohe po vazhdon të jetë. Dhe kjo garniturë nuk guxon ti lejojë vetës por edhe nuk guxon ti lejojë vetës ose edhe nuk do që për interesa dhe përfitime politike që të bëjë një marrëveshje të paktën jo shpejt”, thotë Mazllum Baraliu profesor për çështje juridike.
“Unë besoj që 18 muajt e ardhshëm ne do të kemi konkretisht një letër në të cilat palat do të pajtohen dhe natyrisht kemi parë një angazhim maksimal nga SHBA-të dhe Bashkimi Europian kohëve të fundit e që për mua është shpresë e madhe që ne po shkojmë drejtë finales” Gazmir Raci analist politik.
Derisa më 1 shtator të këtij viti filloi të zbatohet marrëveshja për letërnjoftimet mes Kosovës dhe Serbisë, sfidë mbetet ajo për targat teksa presioni ndërkombëtar është shtuar edhe për temën e Asociacionit.