Peci: Kur flet Delawie, flet presidenti i SHBA’së

E publikuar: 27/12/2017 21:06
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ish-diplomati i Kosovës, Lulzim Peci në emisionin “Rubikon” të KTV-së, ka komentuar deklaratën e ambasadorit amerikan, Greg Delawie lidhur mep përpjekjen e tre liderëve të Kosovës për ta shfuqizuar Gjykatën Speciale dhe ka thënë se në deklaratën e tij është qëndrimi zyrtar presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Peci ka thënë se politikanët kosovarë nuk po i marrin seriozisht qëndrimet e ambasadorëve ndërkombëtarë në Kosovë dhe këto veprime po dëmtojnë Kosovën në nivelin ndërkombëtar.

“Për dallim prej Delawiet, ne kemi qenë ambasadorë të Kosovës dhe jo të SHBA-së. Këtu është dallimi fundamental. Diplomacia jonë punon ngathtë në këtë aspekt dhe kur flet ambasadori i SHBA-së, me gojën e tij flet presidenti i SHBA-së. Ne duhet t’i marrim seriozisht ambasadorët e këtyre vendeve”, ka thënë Peci.

Ish-ambasadori i Kosovës në Suedi dhe në Beograd, ka përmendur iniciativën e presidentit Hashim Thaçi për transformimin e FSK-së nëpër mjet ligjit.

Edhe në atë kohë, ambasadorët kishin deklarata të ashpra ndaj kësaj iniciative të presidentit.

“Ne mund ta rikthejmë filmin mbrapa për iniciativën e Thaçit për transformimin e FSK-së me ligj dhe pa ndryshime kushtetuese. Erdhën deklarimet prej niveleve tjera të Amerikës se në asnjë formë nuk e pranojmë transformimin e FSK-së me ligj. Unë e shoh se ne po bëjmë hajgare me këtë gjë. Nuk po i marrim seriozisht deklarimet e ambasadorëve. Ne duhet të veprojmë si shtet dhe çdo përfaqësim i shtetit e ka rëndësinë e vet në marrëdhëniet ndërkombëtare”, ka thënë veç të tjerash Peci.