Hashim Thaçi do të jetë i obliguar që shumë shpejt të japë dorëheqje nga pozita e kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës.
Por, Thaçi – i cili synon të bëhet President i Kosovës të premten gjatë seancës së jashtëzakonshme të përcaktuar nga Kryesia e Kuvendit – ende nuk e ka përcaktuar momentin e saktë kur do ta bëjë tërheqjen zyrtare nga PDK.
Kjo pasi Kushtetuta e Kosovës nuk e sanksion kohën kur kandidati për President duhet ta bëjë dorëheqjen nga partia, pra nëse ajo duhet të bëhet para ose pas zgjedhjes së të parit të vendit.
Akti më i lartë juridik e parasheh qartë që shefi i shtetit nuk mundet ta bartë njëkohësisht pozitën e kryetarit të partisë dhe atë Presidentit.
Natyrisht, në rastin e Thaçit nënkuptohet edhe dorëheqja nga posti i Zëvendëskryeministrit dhe Ministrit të Jashtëm.
Kjo është vërtetuar më së miri në rastin e ish-Presidentit dhe ish-Kryetarit të LDK-së, Fatmir Sejdiut.
Klan Kosova merr vesh se dorëheqja nga pozita e Kryetarit të partisë ka pak gjasë të bëhet para seancës të së premtes, atëherë edhe kur Thaçi do të votohet në Kuvend.
Koalicioni qeveritar vazhdimisht ka shfaqur bindjen se Thaçi do ta ketë kuorumin e domosdoshëm të 2/3 të deputetëve në Kuvendin e Kosovës dhe votat e mjaftueshme që shefi aktual i partisë më të madhe në vend të bëhet President.
Sipas burimeve të Klan Kosova, PDK planifikon që procesin e dorëheqjes së Thaçit nga kreu i PDK-së ta bëjë gjatë muajit mars.
Kjo do të jetë periudha transitore kur ai do të jetë i zgjedhur President – por ende s’do të jetë i inauguruar në pozitën e të parit të shtetit.
Në krye të PDK-së Thaçi pritet të pasohet nga Kadri Veseli, fillimisht si ushtrues i detyrës së kryetarit të partisë, për t’iu hapur rrugë zgjedhjeve të reja të brendshme.


















