Shndërrimi i Forcës së Sigurisë në Kosovës në Forca të Armatosura të Kosovës, ende nuk dihet se kur do të ndodhë edhe pse në Ministrinë e FSK-së, thonë se janë gati për përgjegjësitë e reja të cilat mund të dalin nga ky transformim.
Ndryshimet kushtetuese për formimin e Gjykatës Speciale për krime lufte dhe ato për transformimin e FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës, ishin premtuar nga institucionet e Kosovës se do të ndodhin në të njëjtën kohë.
Por, një gjë e tillë nuk ka ndodhur kur Kuvendi i Kosovës, ka bërë ndryshimet kushtetuese për Gjykatën Speciale.
Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Haki Demolli, tha përRadion Evropa e Lirë, se ministria të cilën ai e drejton, ka përfunduar të gjitha obligimet sa i takon draft-ligjit.
Ai theksoi se për tu proceduar draft-ligji në Kuvend, paraprakisht duhet të ndodhin ndryshimet kushtetuese.
“Qeveria e Kosovës i ka proceduar amendamentet Kuvendit të Kosovës. Ato amendamente kanë qenë në kryesinë e Kuvendit të Kosovës, mirëpo për shkaqe të caktuara ato amendamente nuk kanë dalë në seancën e Kuvendit të Kosovës”, tha Demolli.
Kryetarja e Komisionit për Legjislacion në Kuvendin e Kosovës, Albulena Haxhiu, nga Lëvizja Vetëvendosje, tha se arsyeja kryesore se pse deri më tash nuk po themelohet ushtria e Kosovës është siç tha ajo, se ka tendenca nga partia politike Lista Serbe për të bërë ndarje etnike të ushtrisë.
“Hapur e kanë këtë kërkesë, pra kërkojnë që si e kanë ndarë policinë, njëjtë të veprojnë edhe me ushtrinë. Ka pas një tendencë që amendamenti për Forcat e Armatosura të vendoset ne pako me amendamentet për Gjykatën Speciale”.
“Mirëpo tani po na pret edhe një problem tepër i madh për Kosovën që është Asociacioni i Komunave me shumicë serbe ose zajednica. Me gjasë do të ketë një tendencë që amendamentet për forcat e armatosura të vendosen në pako me amendamentet për asociacionin”, tha Haxhiu.
Zyrtarë të lartë të Qeverisë së Kosovës, kanë thënë se transformimi i Forcave të Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura, është një proces i rëndësishëm për Kosovën dhe për stabilitetin e përgjithshëm.
Ata kanë theksuar setransformimi i FSK-së në FAK, do të bëhet duke argumentuar se kjo çështje është në interes të të gjithë qytetarëve të Kosovës.
Branimir Stojanoviq, zëvendëskryeministër në Qeverinë e Kosovës i cili vjen nga radhët e Listës Serbe, në një interviste të mëhershme për Radion Evropa e Lirë, ka deklaruar se në formën që ekzistojnë propozimet tash për tash nuk do të votojnë për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës.
“Dëshirojmë që të bisedojmë për këtë dhe të shohim se çfarë është ajo që dikush dëshiron ta bëjë dhe pse dëshiron ta bëjë. Një nga argumentet që për neve është telash, është fakti se sa do të kushtojë e gjithë kjo, sepse në këtë situatë kur një numër i madh i njerëzve jeton mjaft vështirë, e dimë se më së paku do të nevojitej shuma rreth 50 milionë euro që ajo (Forca e Armatosur e Kosovës) të formohet”, pati thënë Stojanoviq,
Deputetja Ganimete Musliu, anëtare e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë se shndërrimi i FSK-së në FAK, nuk është një proces i lehtë.
Ajo theksoi se ushtria e ardhshme e Kosovës nuk është në dëm të askujt prandaj atë duhet ta votojnë të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës.
“Unë pres nga bashkësia ndërkombëtare, nga SHBA, që presionin e njëjtë që kanë bërë për themelimin e Gjykatës Speciale ta bëjnë edhe te Lista Serbe dhe thjesht t’i bindin deputetet serbë që ta votojnë FAK-un”, tha Musliu.
Forcat e Armatosura të Kosovës do të jenë pasardhëse të Forcave të Sigurisë së Kosovës të cilat kanë më shumë kompetenca të ndërhyrjeve emergjente sesa ushtarake.
Po ashtu, Forcat e Armatosura, mund të themelohen vetëm nën mbikëqyrjen e NATO-s me numër të caktuar ushtarësh dhe me armatim dhe pajisje të përcaktuara në marrëveshje me NATO-n.
Për themelimin e FAK-ut, do të nevojitet të arrihet edhe pajtimi me Listën Serbe, pasi që ky subjekt përfaqëson aktualisht shumicën e komunitetit serb në Kuvendin dhe Qeverinë e Kosovës./rel/