Kupa e Botës 2026 do të jetë e sigurt dhe mikpritëse, thotë Andrew Giuliani

E publikuar: 03/12/2025 21:36
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kreu i Task-Forcës së Shtëpisë së Bardhë për Botërorin 2026 deklaroi sot se administrata Trump po përgatit masa të gjera sigurie dhe mikpritjeje për të siguruar që turneu të jetë i sigurt dhe mikpritës.

Andrew Giuliani u tha gazetarëve në Qendrën e Shtypit të Jashtëm të Departamentit të Shtetit se siguria dhe mbrojtja mbeten në zemër të përgatitjeve.

“Ne do të bëjmë gjithçka që është në fuqinë tonë për t’i bërë këto ndeshje dhe këtë Kupë të Botës të jashtëzakonshme të sigurt dhe të suksesshme. Siguria dhe mikpritja mund të bashkëjetojnë dhe do të bashkëjetojnë. Kjo Kupë Bote do të jetë provë e shkëlqyer e kësaj,” tha ai.

Ai konfirmoi se mbajtësit e biletave do të kenë qasje në një “sistem të dedikuar për caktimin e takimeve me përparësi të FIFA-s” (PASS) duke filluar nga fillimi i vitit 2026.

“Mbajtësit e biletave do të jenë në gjendje të arrijnë në krye të radhës, në mënyrë që në këtë mënyrë, nëse kanë një biletë, ne të sigurohemi që ata të mund të marrin një takim për vizën e tyre”, tha ai.

Ai shtoi se qëllimi është t’u ofrohet sa më shumë njerëzve një rrugë ligjore për të vizituar Shtetet e Bashkuara. Sipas udhëzimeve të Departamentit të Shtetit, tifozët nga 42 vendet që nuk kanë viza, atyre që janë kualifikuar deri më tash, mund të aplikojnë përmes Sistemit Elektronik për Autorizimin e Udhëtimit (ESTA), ndërsa tifozët nga vendet e tjera duhet të kenë një vizë vizitori të vlefshme B1/B2.

“Ju lutemi ejani në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ligjërisht. Nëse jeni një kërcënim potencial, nuk do të merrni aprovim. Ne presim midis pesë dhe shtatë milionë vizitorë ndërkombëtarë. Ne kemi vendosur ekipe koordinimi federale në 11 qytetet pritëse. Këto ekipe u japin autoriteteve lokale qasje direkte në ekspertizën dhe burimet federale, duke siguruar qasje të unifikuar dhe stabile në vend”, tha ai.

Kujtojmë, Botërori 2026 mbahet në SHBA, Kanada dhe Meksikë. Kosova dhe Shqipëria kanë siguruar play-offin, dhe për të prekur garën madhore atyre iu nevojiten dy fitore, në ndeshjen e parë gjysmëfinale më 26 mars dhe mini-finalen më 31 mars 2026. Kosova luan kundër Sllovakisë, ndërsa Shqipëria ndaj Polonisë.