Ligji i ri i komunikacionit i cili pritet që këtë muaj të hyjë në fuqi, qëllimi i të cilit thuhet se është rritja e sigurisë në trafikun rrugor, zhvillimi i rrjedhjes normale të trafikut dhe mbrojtja e ambientit, dhe i cili parasheh gjoba deri në 1500 euro, nuk po pritet mirë.
Madje ai po kritikohet si i mangët dhe se i njëjti nuk pritet që të ndikojë në sigurinë e vendit.
Ministria e Infrastrukturës me ligjin e ri, parasheh që tejkalimi i shpejtësisë brenda zonave urbane të shkojë deri në 900 euro, përderisa mungesa e patentë shoferit të arrij gjobën deri në 1500.
Njohës të sigurisë dhe komunikacionit vlerësojnë se këto ndryshime nuk do të ndikojnë në uljen e aksidenteve, të cilat sidomos kohët e fundit kanë qenë në numër shumë të madh.
Nol Dedaj, ekspert komunikacioni, në një prononcim për lajmi.net thotë se ligji i ri ka shumë mangësi dhe që disa nene të cilat i kanë përkufizuar nuk e kanë arsyeshmërinë e qartë teknike dhe për përmbajtjen e saktë të sigurisë rrugore.
“Ligji i sigurisë rrugore i ka pasur të gjitha elementet e sigurisë rrugore por mangësia e tij ka qenë se ministritë përkatëse nuk i kanë nxjerr udhëzimet administrative që të mbulohen fushat e atij ligji. Ndërsa ligji se do të futet në fuqi më 20 të këtij muaji ai më e ka humbur kuptimin e ligjit të sigurisë rrugore për shkak se vetë titulli i këtij ligji mbi rregullat e trafikut rrugor i zbërthen vetëm rregullat të cilat janë të parapara dhe unë e shoh aty që disa nene të cilat i kanë përkufizuar nuk e kanë arsyeshmërinë e qartë teknike dhe për përmbajtjen e saktë të sigurisë rrugore”, shpjegon Dedaj.
Se ky ligj nuk do të jetë në funksion të sigurisë, Dedaj thotë se më së miri do ta dëshmojnë ata që punojnë në terren.
“ Sa i përket sigurisë rrugore institucionet të cilat do ta praktikojnë këtë në terren do të na japin mandej edhe sinjalet shumë shpejtë që ky ligj nuk është në funksion të sigurisë”, sqaroi ai.
Vetëm në gjashtë muajt e parë të këtij viti, sipas statistikave të Policisë së Kosovës, nga 46 aksidente kanë humbur jetën 50 persona, ndërsa numri i aksidenteve me lëndime është 2 mijë e 781.
Por as ligji i ri sipas hulumtuesve të Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) nuk do të ndikojë në uljen e aksidenteve në vend. Për këtë kritikohen gjykatat të cilat thuhet se nuk e kanë kryer funksionin e tyre për luftimin e këtyre shkeljeve.
Sofije Kryeziu hulumtuese në QKSS, thotë për lajmi.net se gjobat e larta për shoferet apo për pjesëmarrësit e komunikacionit patjetër që do të kenë ndikim në mënyrën se si ata ngasin mjetet apo se sa u përmbahen rregullave të komunikacionit.
“Megjithatë ky ndryshim nuk mundet patjetër të ndikojë në uljen e numrit të aksidenteve të cilat pavarësisht gjobave jo shumë të ulëta që shqiptohen sidomos nëse krahasohet me standardin që ka Kosova janë problem i vazhdueshëm me të cilat ballafaqohet komunikacioni në Kosovë”, bën të ditur ajo.
Kryeziu thekson se përveç shpejtësisë, komunikacioni në Kosovë përballet edhe me probleme tjera si infrastruktura, mungesa e shenjave, parregullsitë për pajisjen e personave me patentë shoferi, kontrollimi teknik i automjeteve, testimi i aftësive psikofizike para pajisjes me patentë shofer, mungesa e vetëdijesimit dhe sensibilizimit të qytetarëve sa i përket rreziqeve të ndryshme në komunikacion dhe pasojat nga shkelja e rregullave, e çështje të ngjashme.
Ajo fajëson sistemin e drejtësisë që nuk i luftojnë shkeljet që bëhen në trafik. Shqetësimi kryesor siç pranon ajo, ka të bëjë me faktin se sistemi i drejtësisë nuk është funksional dhe si rezultat është vështirë të zvogëlohen dhe luftohen shkeljet dhe llojet e ndryshme të krimeve, duke mos u kufizuar tek ato të komunikacionit si një prej problemeve kyçe të komunikacionit. /Lajmi.net
Duke klikuar KËTU mund ta gjeni ligjin e plotë:
Neni 55: Shpejtësia e lëvizjes brenda zonës urbane
Shpejtësia më e madhe e lejuar brenda zonës urbane është pesëdhjetë (50) km/h, në qoftë se me shenja të trafikut nuk është e përcaktuar ndryshe.
Dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej treqind (300) deri në nëntëqind (900) euro, shoferi i cili brenda zonës urbane lëviz me mjet me shpejtësi mbi pesëdhjetë (50) km/h mbi shpejtësinë e lejuar, të përcaktuar me rregulla të përgjithshme ose me shenjë të trafikut. Përveç gjobës, atij i shqiptohet masa mbrojtëse ndalim i të drejtuarit të mjetit me veprim motorik në kohëzgjatje prej së paku një (1) viti, si dhe i shqiptohen pesë (5) pikë negative.