Kundërpërgjigjet Haradinaj: Shqiptarët nuk bëjnë spastrim etnik, kriminelëve serbë iu përgjigjemi njejtë

E publikuar: 08/04/2017 19:25
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj ka reaguar ndaj deklaratave të Vulinit i cili e akuzoi se po synon spastrim etnik ndaj serbëve.

Vëllau i Ramush Haradinajt, shkruan se sa për Vulinin asnjë kishë serbë nuk do të mbetej në Kosovë, por që sipas tij shqiptarët janë ndryshe pasi e duan njëri-tjetrin pa dallim feje, e që sipas tij Serbia ka vendosur fenë përpara kombit.

Por Haradinaj shprehet i bindur se ndjekja nga kriminelët serb do ta marrë përgjigjen e njejtë.

Ndërsa gjatë ditës, drejtori i të ashtuquajturës zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë Marko Gjuriq, ka dënuar deklaratat e Haradinajt.

“Ne i dënojmë fuqishëm kërcënimet e reja që vijnë me plot ankth nga njerëzit në Kosovë dhe Metohi. Është esenciale që në Kosovë dhe Metohi të jetë një atmosferë e tolerancës dhe respektit të ndërsjell, jo nxitjes së dhunës dhe urrejtjes”, tha ai.

Ky është reagimi i plotë i Haradinajt:

Vulin, sa për ty dhe për shefat tu historik, asnjë kishë serbe nuk kish me mbetë në Kosovë.
Shqiptarët që ti i quan “terroristë” i kanë ruajtur e kultivuar që 500 vjet, dhe atë jo për hatrin tënd por se kështu jemi ne shqiptarët.
Ne jemi shqiptarë, edhe myslimanë edhe katolik edhe ortodoks, dhe e duam njëri tjetrin.
Ju e keni prishur veten tuaj duke e vendosur fenë para kombit. Kështu mendojnë shqiptarët.
Shqiptarët s’kanë bërë dhe s’bëjnë kurr spastrim etnik, kemi dhënë prova se jemi njerëz të fjalës dhe këtu pajtohem me të gjithë, por ndjekja nga kriminelët në Beograd do ta marr përgjigjen e njëjtë çdo herë.