Kundër këshillave të aleatëve”, aksioni për mbylljen e strukturave paralele çoi në reagime të ashpra ndërkombëtar

E publikuar: 16/01/2025 08:31
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Gjatë një operacioni policor të mërkurën janë mbyllur komunat paralele të Serbisë në Lipjan, Obiliq, Prishtinë, Fushë Kosovë, Vushtrri, Novobërdë, Kamenicë, Viti, Rahovec, Skenderaj si dhe posta e zyre tatimore paralele.

Aksioni për mbylljen e komunave paralele është kryer në dhjetë komuna të vendit, pa autorizim të Prokurorisë.

Prokuroria Themelore në Prishtinë tha në orët e pasdites se nuk e ka autorizuar Policinë e Kosovës për të kryer kontrolle dhe bastisje, meqë nuk pati ndonjë kërkesë zyrtare për këtë çështje.

Në komunikatën e lëshuar nga Prokuroria thuhet se organi i ndjekës nuk ka autorizuar kryerjen e bastisjeve në këto lokacione meqë nuk kanë pasur ndonjë kërkesë zyrtare me shkrim nga institucionet dhe se nuk u është ofruar kurrfarë prove për t’u krijuar dyshimi i bazuar se është duke u kryer ndonjë vepër penale.

Por në një reagim të mëvonshëm, Policia ka thënë se të gjitha veprimet janë realizuar në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet kompetente.

“Të gjitha veprimet policore janë realizuar në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet kompetente, ku varësisht nga të gjeturat do të ndërmerren masat e mëtejme ligjore, në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë”, u tha në reagim.

Sipas Policisë, objektet që u mbyllën ishin të jashtëligjshme dhe vepronin si komuna, posta, banka, të cilat ofronin shërbime të jashtëligjshme kundër rendit kushtetues dhe ligjeve të Kosovës.

Policia e Kosovës tha se qëllimi i operacionit ishte vendosja e rendit dhe ligjshmërisë dhe me kërkesën e ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, ka ndihmuar zyrtarët e kësaj ministrie për ndërprerjen e veprimtarive të jashtëligjshme të këtyre institucioneve.

“Të gjitha veprimet policore janë realizuar në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet kompetente, ku varësisht nga të gjeturat do të ndërmerren masat e mëtejme ligjore, në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë”, u tha në komunikatën e policisë.

Kjo e shtyri ministren e drejtësisë Albulena Haxhiu, t’i reagojë prokurorisë, e cila njoftoi se nuk ka pasur ndonjë koordinim me Policinë e Kosovës në lidhje me aksionet e mbylljes së strukturave paralele në disa lokacione në Kosovë.

Haxhiu e ka cilësuar këtë reagim si “skandaloz”.

Tutje, ajo ka sulmuar prokurorinë, duke pyetur në mënyrë retorike se “në shërbim të kujt janë?”

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian dënuan veprimet e Prishtinës.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë ka thënë se veprimet e sotme të Qeverisë së Kosovës për mbylljen e institucioneve paralele të Serbisë në disa komuna të Kosovës, ndikojnë direkt dhe negativisht tek qytetarët serbë etnikë të Kosovës dhe të komuniteteve të tjera dhe mund të minojnë aspiratat e Kosovës për t’iu bashkuar komunitetit euro-atlantik.

“Veprimet e Qeverisë së Kosovës për mbylljen e institucioneve të drejtuara nga Serbia ndikojnë direkt dhe negativisht në qytetarët e Kosovës – serbët etnikë dhe komunitetet e tjera – dhe mund të minojnë aspiratat e Kosovës për t’iu bashkuar komunitetit euroatlantik”, ka thënë një zëdhënës i Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë.

Ky zëdhënës i Ambasadës Amerikane tutje ka thënë se këto veprime janë bërë kundër këshillave amerikane dhe si të tilla e dobësojnë besimin dhe kufizojnë mundësitë e SHBA-së për të ndihmuar Kosovën për një të ardhme më të mirë.

“Këto veprime, kundër këshillave tona më të mira, dobësojnë besimin në marrëdhënie dhe kufizojnë aftësinë tonë për të ndihmuar Kosovën të sigurojë të ardhmen më të mirë dhe më të ndritshme për të gjithë njerëzit e saj. Ne po vazhdojmë të monitorojmë situatën. Ju lutemi ndiqni platformat tona online për reagime shtesë nga Ambasada e SHBA”, përfundon përgjigja.

Edhe Bashkimi Evropian ka kritikuar Kosovën për shkak të mbylljes së strukturave paralele, pasi siç ka thënë, mbyllja e strukturave “të mbështetura nga Serbia” bien ndesh me detyrimet e saj ndaj BE-së. Në reagimin e BE-së u tha se përderisa konkluzionet janë se BE-ja do të heqë gradualisht masat paralel me hapat e Kosovës për depërshkallëzim të tensioneve në veri, “këto veprime nuk janë të favorshme për këtë qëllim”.

BE-ja ka thënë tutje se statusi i strukturave të mbështetura nga Serbia parashikohet të zgjidhet përmes dialogut.

Në anën tjetër ambasadori i Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami, i është përgjigjur Bashkimit Evropian me tri qartësime sa i përket aksionit të Policisë së Kosovës në mbylljen e strukturave paralele në disa rajone të mërkurën.

Bajrami ka sqaruar se ato struktura ishin ilegale të drejtuara nga Serbia, se s’ka marrëveshje mbi ato dhe që aksioni nuk nxiti tensione.

“Për sqarim: Nuk ka struktura të mbështetura nga Serbia në Kosovë; ato ishin struktura ilegale të drejtuara nga Serbia. Nuk ka asnjë marrëveshje që përcakton negociatat për të ardhmen e këtyre strukturave. Sot, operacioni i Policisë së Kosovës nuk shkaktoi tensione”, ka shkruar Bajrami në platformën X.

Një reagim e pati edhe Ambasada Britanike në Kosovë.

Në reagimin e kësaj ambasade i kanë kërkuar qeverisë së Kosovë që të veprojë në përputhje me ligjin.

”Mbretëria e Bashkuar është e shqetësuar nga veprimet e sotme në strukturat paralele të Serbisë në mbarë Kosovën. Ne kemi kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të sigurojë që këto veprime të kryhen në përputhje me kornizën e saj ligjore, por edhe që ato të marrin parasysh faktin se shumë serbë të zakonshëm të Kosovës, duke përfshirë edhe më të cenuarit, vazhdojnë të mbështeten në këto institucione për shërbime”, thuhet në reagimin e Ambasadës.

Më tutje thuhet se angazhimi konstruktiv, nga qeveritë e Serbisë dhe Kosovës, përmes Dialogut të lehtësuar nga BE-ja, duke përfshirë zbatimin e plotë të Marrëveshjeve të Brukselit dhe themelimin e ASMM-së, është mënyra më e mirë për të adresuar këto çështje.

Edhe Ambasada e Francës në Prishtinë është shprehur e shqetësuar për mbylljen njëanshme të disa strukturave paralele serbe në 10 komuna.

Përmes një komunikate për media, ambasada ka deklaruar se ky veprim është i dëmshëm, veçanërisht për shkak se Kosova ndodhet në fushatë zgjedhore.

“Po ashtu, është e dëmshme që kjo valë mbylljesh po ndodh gjatë fushatës zgjedhore. Kjo periudhë duhet të shërbejë si mundësi për të paraqitur perspektiva përfshirëse për të ardhmen e të gjitha grupeve në Kosovë, në përputhje me natyrën multi-etnike të Kosovës, siç është kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare në vitin 2008”, thuhet në njoftimin e ambasadës së Francës.