Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës, në mbledhjen e tij të sotme, miratoi ankesën e Qumështores Vita së Devolli Group kundër gazetës Kosova Sot, e cila në një artikull mbi disa probleme rreth ushqimit, botoi fotografinë e mbështjellësit të qumështit Vita, ndonëse në tekst askund nuk përdoret qumështi Vita.
Sipas Kreut II të Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, pika 6 thuhet: “fotografitë dhe dokumentet nuk guxojnë të falsifikohen apo të përdoren në mënyrë të gabueshme.” Gjithashtu, gjatë shqyrtimit të ankesës tjetër të Devolli Group kundër gazetës Kosova Sot në lidhje me artikullin “Devollët plaqkitën makinerinë e fabrikës në vlerë 45 milion euro”, KMShK konstatoi se është shkelur Kreu III, pika 2 që ndalon përdorimin e shprehjeve denigruese si dhe Kreu II, pika 1 dhe 4 ku kërkohet që gazetarët të respektojnë të vëretën faktike si dhe të mos përziejnë lajmet dhe opinionet, siç ka ndodhur në këtë artikull, i cili përmban kualifikime si “kriminel”, “mafi” e të ngjajshme, duke u mbështetur në një letër të sindikatës së ish Fabrikës së Amortizatorëve, ndonëse privatizimi është bërë publikisht dhe ende kundër atij vendimi nuk është marrë ndonjë vendim tjetër gjyqësor.
Pasi shqyrtoi ankesën tjetër të Devolli Group kundër gazetës Kosova Sot lidhur me artikullin “Zbardhet letra denoncuese kundër mafisë “Devolli&PDK””, KMShK konstatoi se këtu është shkelur Kreu V i Kodit të Mediave të Shkruara, i cili kërkon që mediat nuk mund të trajtojnë asnjë individ si fajtor, para se një vendim i tillë të mos konfirmohet nga gjykata. Në këtë artikull ka ndodhur pikërisht e kundërta.
KMShK, pasi diskutoi dhe ndëgjoi edhe përfaqësuesin e gazetës Kosova Sot lidhur me artikullin “Deputetët zbardhin keqpërdorimet nga Dogana dhe AVUK” konstatoi se gazeta Kosova Sot ka bërë përzierje të të dy kompanive të ndryshme. Kjo gazetë ka publikur se M&Sillosi është pjesë e kompanisë Devolli Grup, ndërsa del se pronar i kësaj kompanie është dikush tjetër, çka vërtetojnë edhe regjistrat zyrtar të kompanive. Edhe artikulli “Politikanët mafioz e shkatërruan fabrikën e amortizatorëve” i botuar në gazetën Kosova Sot ka mangësi të ngjajshme kur bëhet fjalë rreth lajmit dhe opinionit. Lajmi nënkupton informacion të përbërë nga faktet dhe të dhënat, kurse opinionet, bartin mendime, ide, besime apo gjykime vlerësuese nga ana e botuesëve nga ana e botuesve, gazetarëve dhe redaktorëve. Në rastin konkret, gazeta Kosova Sot duke u mbështetur në një letër të sindikatës së ish Fabrikës së Amortizatorëve ku ka mjaft kritika rreth privatizimit porse nuk përmenden epitete si “kriminel”, “mafioz” etj, ato i nxjerr në titull dhe tekst. Andaj, KMShK konsatoi se është shkelur Kreu II,pikë 4, ku përzihen elementet e lajmit dhe komentit, gjë që është e palejueshme.
Ali Rexha është ankuar kundër portalit Ineksonline, i cili ka botuar një lajm për bastisjen e disa shtëpive në Kosovë lidhur me rastin e fundit në Kumanovë. Në ankesë thuhet se ai nuk ka urdhëruar bastisjen, mirëpo dihet se ai edhe në transmetuesin publik RTK ka pranuar se është i ngarkuar me këtë rast, sipas procedurave të njohura gjyqësore. KMShK ka vërtetuar se pas botimit të këtij lajmi ka pasur disa komente të lexuesve me gjuhë të papranueshme, të cilat menjëherë pas ankesës së Rexhës janë larguar nga portali. Biografia e Rexhës është nxjerrë nga faqja zyrtare e prokurorisë, pra nga një burim publik, andaj botimi i saj nuk konsiderohet shkelje.
Indeksonline informoi anëtarët e KMShK-së se ka vendosur që nga data 1 korrik 2015, të largojë tërësisht komentet e lexuesve nga portali, pasi që është shtuar dukshëm numri i fyerjeve dhe formave të tjera të nxitjes së gjuhës së urrejtjes.
Pasi e shqyrtoi ankesën e Ministrisë së Kultuës, Rinisë dhe Sportit kundër portalit Indeksonline lidhur me një shkrim mbi me favoret që MKRS i ka bërë shtëpisë botuese “Buzuku”, KMShK konstatoi se nuk mund të pranohet si e vërtetë pjesa e artikullit ku thuhet se “20 mijë eurot e kësaj Ministrie i janë ndarë shtëpisë botuese “Buzuku”. E vërteta qëndron në faktin se këto mjete i janë ndarë shoqatës së botuesve të Kosovës për shpenzimet e pjesmarrjes së botuesve kosovarë në panairet e librit në Prishtinë, Tiranë dhe Frankfurt, ku edhe “Buzuku” është njëri nga anëtarët e kësaj shoqate. Andaj, kjo ankesë u miratua pjesërshit. Redaksia e portalit Indeksonline u zotua se do të sqarojë këtë paqartësi, me çka përmbush obligimin që del nga Kodi i Mediave të Shkruara të Kosovës.
Kundër gazetës Koha Ditore kanë arritur dy ankesa njëra nga deputeja Ganimete Musliu lidhur me artikullin “Lushtaku nga burgu në ndeshje futbolli” dhe tjetra nga Minisatria e Diasporës lidhur me artikullin “Kryeminsitri dhe gjysma e ministrave fshehin shpenzimet”. Në të dy ankesat kërkohej botimi i reagimeve. Gazeta Koha Ditore i ka botuar reagimn gjegjësisht sqarimin me çka ka përmbushur kërkesat e ankuesve për t’u publikuar edhe qëndrimet e tyre.
KMShK nuk miratoi ankesën e Besim Osmanit kundër gazetës Zëri lidhur me artikullin “Dallaveret me uniformat e FSK-së.
Ibrahim Shala, zëdhënës i FSK-së e ka dërguar ankesën kundër gazetës Zëri lidhur me artikujt “Dallaveret me uniformat e FSK-së” dhe “MFSK nuk ka paguar dhe as nuk e ka pranuar sasinë dhe llojin e mallit” si dhe “FSK-ja blen dy autobusë 380 mijë euro”. Sa i përket këtyre artikujve, gazeta Zëri ka botuar reagimet e ankuesit në vendet e caktuara në gazetë për përgjigje, siç ëshë e zakonshme, me çka janë sqaruar paqartësitë që kanë dalë nga artikujt e përmendur.
KMShK shqyrtoi ankesën e shkrimtarit dhe publicistit Veton Surroi kundër portalit Indeksonline, i cili botoi një pjesë të intervistës së Surroit dhënë TV B92, në të cilën siç dihet atijë i’u mveshën edhe ato që ai nuk i kishte thënë, por kishte cituar Dick Marty-n dhe Williamson-in. Pas emitimit të videos së plotë në TV B92, shikuesit mësuan se vlerësimet për “Grupin e Drenicës” ishin dhënë nga Dick Marty dhe Williamson dhe jo nga Veton Surroi, gjë që Indeksonline e përmirësoi në versionin e dytë të lajmit. Përfaqësuesi i portalit Indeksonline informoi anëtarët e KMShK-së se portali në fjalë menjëherë ka botuar intervistën e plotë të Surroit ku janë sqaruar pasaktësitë në versionin e parë të lajmit në Indeksonline, ka hequr komentet e lexuesve, të cilët përmbajnë gjuhë të urrejtjes dhe kërcënime për jetë si dhe ka thënë se mirëpret vendimin e KMShK-së që të hiqet edhe shkrimi i publikuar në të gjitha versionet e tij. Përfaqësuesi i portalit Indeksonline, gjithashtu, shprehu keqardhje për publikim e këtij materiali të pasaktë dhe vendosshmërinë që pas heqjes së përhershme të komenteve të lexuesve nga ky portal, nuk do të ketë më raste të tilla.
KMShK miratoi edhe ankesat kundër portaleve Telegraf, Indeksonline dhe Bota Sot nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut. Përfaqësuesit e këtyre portaleve informuan KMShK-në se i kanë hequr të gjitha komentet të cilat përmbajnë gjuhë të urrejtjes. KMShK përshëndetë gatishmërinë e portaleve që të mos lejojnë gjuhë të urrejtjes në shkrimet dhe komentet e lexuesve./INFOSOT/