Kundër Erdoganit bën dobi vetëm një gjuhë e qartë

E publikuar: 15/09/2017 03:29
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Asgjë nuk ecën më midis Berlinit dhe Ankarasë. Për shumë muaj qeveria gjermane nuk kurseu asnjë përpjekje diplomatike, pranoi të gjitha provokimet dhe i ruajti mënyrat e mirësjelljes në tonin e të folurit deri në mohim të vetvetes – pastaj, para disa javësh, e ndryshoi kursin. Tani ajo u vë gjërave emrin që kanë: kur nënshtetasit gjermanë i arrestojnë nën akuza absurde në Turqi, siç ndodhi me aktivistin e të drejtave të njeriut, Peter Steudner, kandidati i SPD për kancelar, Martin Schulz tani flet hapur për “pengje”. Kurse qeveria gjermane paralajmëron se janë të rrezikshme udhëtimet në Turqi.

Ky ndryshim i kursit, kështu u duk për një periudhë kohe, bëri efekt në Ankara. Toni u bë më i moderuar: në fund të fundit, Turqisë nuk i pëlqen që të mos i venë turistë gjermanë dhe as që të ndërpritet angazhimi i firmave gjermane në Turqi. 
Por së fundi, patëm një rikthim aty ku ishim: në fillim Erdogani u bëri thirrje gjermanëve me origjinë turke dhe me të drejtë vote që në zgjedhjet parlamentare në Gjermani në shtator të mos e japin votën e tyre as për partitë unioniste, as për SPD, as për të Gjelbrit – që në sytë e tij janë të gjithë armiq të Turqisë. Partitë Unioniste Erdogani i lidh qartë me armiken e betuar, Angela Merkel, kurse SPD autokrati i Bosforit e lidh para së gjithash me ministrin e Jashtëm, Sigmar Gabriel, gjuha e të cilit ka qenë gjithmonë më e qartë se e pararadhësit të tij, Presidentit të sotëm të Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier. Kurse për të Gjelbrit flet njëri nga politikanët gjermanë më të urryer në Turqi, kryetari i partisë, Cem Özdemir. Për Erdoganin dhe për shumë turq nacionalistë ai është thjesht një tradhëtar i popullit të tij, edhe nëse Özdemiri nuk ka jetuar kurrë në Turqi.

Një dimension i ri

Një dimension i ri është tani arrestimi i shkrimtarit gjerman, Dogan Akhanli, kur ai po kalonte pushimet në Spanjë. Ndoshta me nxitjen e Erdoganit dhe nën akuzën se po mbështeste terroristët, çfarë tjetër? Ndërkohë Akhanli është liruar, edhe nëse hë për hë nuk lejohet të largohet nga Spanja.

Nga ana formale juridike, procedura mund të jetë në rregull: Turqia kishte dërguar përmes Interpolit një urdhër arresti kundër shkrimtarit. Natyrisht që shtetet e BE bashkëpunojnë në politikën e sigurisë edhe me Turqinë, por ky bashkëpunim i drejtë në thelb duhet të verifikohet urgjentisht, në dritën e sjelljes së qeverisë turke.
Ngushëllim i dobët
Për momentin mund të fiksojmë: gjuha e qartë e gjermanëve është e drejtë, qoftë në rastin e shkarjeve verbale të Presidentit turk, ashtu edhe në rastin e arrestimeve arbitrare. Ministri i Jashtëm gjerman, Gabriel, u angazhua personalisht menjëherë në rastin e Akhanli-ut, kërkoi lirimin dhe të paktën trajtim konsullor për të. Kjo me sa duket nuk kaloi pa efekt në Spanjë. Kjo është gjë e mirë.
Për gjermanët e arrestuar në Turqi, për gazetarin Deniz Yücel ose për aktivistin e të drejtave të njeriut, Peter Steudner, e vërteta e hidhur është se gjermanët i kanë të lidhura duart. Por jo, kështu duket të paktën, kur Erdogani e zgjeron gjahun e tij paranojak ndaj të gjithë gjermanëve që ai i sheh si armiq të Turqisë, edhe në vendet e tjera të BE. Një ngushëllim i dobët, por gjithsesi.

/DW