Pjesëmarrja e Ushtrisë së Serbisë në paradën e Moskës është në kundërshtim me deklarimet për përkushtimin në procesin e integrimeve në BE, ka thënë Eduard Kukan.
Kryetari i grupit parlamentar për Serbinë në Parlamentin Evropian në këtë mënyrë e ka komentuar vendimin e presidentit të Serbisë, Tomisllav Nikoliq për pjesëmarrjen e ushtarëve serbë në paradën me rastin e 70 vjetorit të fitores ndaj Gjermanisë naziste në Luftën e Dytë Botërore.
“E shoh vendimin e presidentit Nikoliq për pjesëmarrjen e ushtarëve serbë në paradën ushtarake në Moskë në kundërshtim me deklaratat që ishin për përkushtim në rrugën drejt integrimit në BE. Në situatën momentale një vendim i tillë bëhet gjest i rëndësishëm politik. Presidenti Nikoliq do të duhej të ishte i vetëdijshëm që gjestet e tilla mund të kenë ndikim në procesin e integrimeve evropiane të vendit”, ka thënë Kukan.
Nikoliq ka njoftuar vendimin për pranimin e ftesës së ministrit rus të Mbrojtjes, Sergej Shoigun për pjesëmarrjen e ushtarëve serbë në paradën tradicionale të fitores më 9 maj në Moskë.
Nikoliq më herët ka paralajmëruar së më 9 maj në Moskë do të jetë në Paradën e fitores në Sheshin e Kuq, edhe pse Kukan më herët kishte thënë se presidenti i Serbisë nuk duhet të shkojë në kryeqytetin rus./indeksonline/