E ardhmja e “Trepçës” është çështje e rëndësishme e cila duhet të zgjidhet në kuadër të dialogut ndërmjet Beogradit e Prishtinës, mendon Eduard Kukan, shef i delegacionit të Parlamentit Evropian për marrëdhënie me Serbinë.
Duke folur për gazetën e Beogradit “Veçernje Novosti” për bisedën që ka zhvilluar me zëvendëskryeministrin e Qeverisë së Kosovës, Branimir Stojanoviqin, për “Trepçën”, Kukan ka thënë se Stojanoviq ia ka sqaruar qëndrimin e vet, porse ka nevojë të dëgjojë edhe pozicionin e të gjithë partnerëve në mënyrë që ta ketë mendimin përfundimtar, transmeton “Koha.net”.
“Për këtë arsye tash nuk do të hyja me konkluzione finale, por kjo është një çështje e rëndësishme. Gjithsesi se duhet të jetë pjesë e bisedimeve të përgjithshme ndërmjet Beogradit e Prishtinës”, citon “Novosti” të ketë thënë Kukan.