Byroja Kosovare e Sigurimeve (BSK), Asociacioni Kosovar i Motorizimit (AMRKS) dhe Akademia “Tempulli” kanë bërë hapjen e fushatës “Përkujto, Mbështet, Vepro” në kuadër të javës për shënimin e Ditës botërore të përkujtimit të viktimave në trafikun rrugor, raporton Ekonomia Online.
Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hisen Durmishi, tha se aksidentet rrugore janë shkaku kryesor i vdekjeve, duke shtuar se nga viti 2020 deri në vitin 2021 kanë humbur jetën 192 persona në aksidente.
Prandaj ai ka bërë apel të pjesëmarrësit në trafik të kenë pajisje të domosdoshme dhe të përshtaten me kushtet e rrugës e t’i respektojë rregullat a trafikut.
“Çdo vjet më shumë se 1.3 milion njerëz vdesin në gjithë botën. Kostot janë 1 deri 3% të bruto produktit vendor. Aksidentet paraqiten si problem multi-displinar. Për një vit kanë humbur jetën 192 dhe është shifër mjaft shqetësuese dhe ju shpreh ngushëllime njerëzve që kanë humbur më të dashurit e tyre”.
“Ne jemi duke bërë investime dhe angazhim bashkë me Policinë dhe akterë të tjerë që të kontribuojnë që të ulet numri i aksidenteve. Si ministri jemi duke investuar në çështjen e sigurisë rrugore. Secili prej nesh jemi përgjegjës për sigurinë tonë. Edhe këtë vit po shënojmë aktivitet që vitet tjera të kemi sa më pak aksidente rrugore. Drejtësi për të gjithë ata që kanë humbur jetën në aksidentin rrugor. Ftoj të gjithë pjesëmarrësit në trafik të kenë pajisje të domosdoshme në trafik”.
Drejtori i Byros Kosovare të Sigurimeve, Sami Mazreku, tha se do ta përmbushin obligimin që kanë që të gjitha viktimat të përfitojnë nga kompensimi i dëmeve.
Sipas tij, vendosja e stikerëve për veturat e regjistruara ka ndikuar që të zvogëlohet numri i aksidenteve për 250 më pak.
“Është shqetësuese rritja e numrit të rasteve me lëndime të lehta. Është me rëndësi të theksohet një projekt vendosja e stikerave e ka rritur sigurinë në trafikun rrugor. 250 aksidente më pak kemi tani dhe siguri me të lartë. Ne përkrahim këtë kampanjë dhe jemi pjesë e saj”.
Jeton Rexhep, nënkolonel në Policinë e Kosovës, tha se çdo vit kanë përkrahur aktivitet në shënimin e përkujtimit të viktimave në trafikun rrugor.
Ai ka bërë të ditur se nga e marta hyjnë në fuqi sezonit dimëror, raporton EO.
“Ne kemi fushata senzibilizuese në teren nga sot deri të dielën. Kjo ditë është përkujtues i rëndësishëm për ne dhe për pjesëmarrësit në trafik. Do të ketë prezencë të shtuar në teren dhe fillojmë me masa të reja për sezonin dimëror”.
“Këtë vit po shënojmë me pak viktima në trafikun rrugor, me 9 viktima më pak dhe rënie të aksidenteve me dëme materiale. Për 3.7% kemi rritje aksidente me lëndime. Apelojmë që të gjithë njerëzit në trafik të kenë kujdes të shtuar në respektim të rregullave”.
Muhamed Krasniqi, nga Asociacioni Kosovar i Motorizimit (AMKRS), tha se shumë aksidente mbesin pa u hetuar dhe nuk zbatohet legjislacioni i fushës.
Prandaj sipas tij, sistemi i drejtësisë me hetim të plotë do të ishte faktorë kryesor për parandalimin e aksidenteve, raporton EO.
“Në këtë ditë kujtojmë ata që kanë rënë në trafikun rrugor dhe bëjmë thirrje Qeverisë të parandalojnë këto tragjedi në rrugë. 10 viktima në Kosovë i shtohen prej 50 milionë të vdekurve”.
“Ne kaluam pandeminë, por akoma jemi duke e përjetuar një pandemi në aksidentet rrugore. Shumë aksidente mbesin pa u hetuar dhe nuk zbatohet legjislacioni i fushës. Sistemi i drejtësisë me hetim të plotë do të ishte faktorë kryesor për parandalimin e aksidenteve”.
Gjatë javës janë paraparë një varg aktivitetesh në shënim të kësaj dite dhe sipas orgizatorëve objektivat e kësaj ngjarje janë të sigurojnë një platformë për mbështetjen e viktimave të trafikut rrugor dhe familjet e tyre.