Kujdes! Hashani: Gripi që po qarkullon në Kosovë është më i vështirë se të tjerët

E publikuar: 10/01/2025 18:39
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Qendrat e Mjekësisë Familjare dy javët e fundit po përballën me rritjen e numrit të pacientëve për kontrolle nga prekja e gripit sezonal.

Janë rritur për 20% kërkesat e qytetarëve për kontrolle në QKMF, krahasuar me dy javët e fundit.

Kështu ka thënë për “Front Online” kryeshefi i QKMF në Prishtinë, Valdet Hashani.

“Deri në 10-20 % është rritur kërkesa e pacientëve krahasuar me dy javët e fundit”, ka thënë ai.

Hashani ka bërë të ditur simptomat e gripit që ka mbërthyer Kosovën.

Ai thotë se ky grip fillon nga temperatura e deri tek dhimbjet muskulore.

“Kollë me këlbaz ose i thatë, temperaturë ethe, dhimbje muskulore, dhimbje koke. Disa pacientë kanë edhe vjellje dhe barkëqitje, me frymarrje po kanë më shumë probleme”, shprehet ai.

Mosha e fëmijëve dhe të moshuarve më të prekurit nga gripi sezonal

Hashani tregon se moshat më të prekura nga gripi sezonal janë fëmijët të moshuarit dhe personat me me pak imunitet.

Ai thotë se deri në dy javë zgjat gripi tek personat që s’kanë imunitet.

“Atakimi i këtij gripi është tek mosha e fëmijëve, të vjetërit që janë me imunitet më të komplikuar, grat shtatzëna krejt ky grupi që hyn në kategorinë e rrezikshmërisë më të lartë. Ata që kanë më shumë imunitet ka më pak raste të prekjes nga gripi. 4-5 dite nëse nuk ka imunitet deri ne 2 jave”, deklaroi Hashani.

Kryeshefi i QKMF ka apeluar tek qytetarët që në momentin që i vërejnë simptomat e para të qëndrojnë në shtëpi.

Tutje, sipas tij gripi që po qarkullon aktualisht në vend është më i vështirë se të tjerët që kanë qenë.

Ai ka treguar edhe hapat që duhet t’i marr një pacientë për t’u shëruar.

“Në momentin që i dallon simptomat e para, duhet të ketë secili qytetarë regjim të shtratit dhe të pijë sa më shumë çajra, lëngje, supa, paracetamola, vitamina dhe duhet të qëndroj në shtëpi që ta ruaj secilin njëri-tjetër. Nëse patjetër duhet të dal duhet me vendos maskën se infeksionet bartën nga kontakti i drejtpërdrejtë ose kollit gjatë bisedës. Ky grip është pak më i vështirë se të tjerët që kanë qenë gjatë sezonës”, shprehet ai.