Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, sot ka pritur në takim Ambasadorin e ri të Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Ruairi O’Connell, të cilit fillimisht i ka uruar mirëseardhje.
Me këtë rast, Ministri Kuçi ka vlerësuar lartë marrëdhëniet ndërshtetërore në rrafshin bilateral dhe multilateral, duke theksuar bashkëpunimin që institucionet e Kosovës, në veçanti Ministria e Drejtësisë, kanë pasur dhe vazhdojnë ta kenë me Ambasadën e Mbretërisë së Bashkuar, sidomos në fushën e sundimit të ligjit.
Kuçi ka theksuar që motoja e këtij mandati është “Besimi në Drejtësi”. Ministri Kuçi e ka njoftuar Ambasadorin O’Connell lidhur me infrastrukturën dhe pozitën e punonjësve në sistemin e drejtësisë, që janë përmirësuar dukshëm, përderisa kualiteti i punës në shërbim të qytetarëve duhet të përmirësohet edhe më shumë. “Kur ne ofrojmë shërbime më të mira për qytetarët në sektorin e drejtësisë, ngritet edhe besimi i qytetarëve në drejtësi” ka thënë Kuçi.
Në anën tjetër, Ambasadori ka theksuar që prioritetet e politikës së jashtme të Mbretërisë së Bashkuar ndaj Kosovës përputhen me prioritetet e Qeverisë së Kosovës drejt përmirësimit të sundimit të ligjit, zhvillimit ekonomik dhe integrimit evropian të Republikës së Kosovës.
Të dy bashkëbiseduesit shprehën vullnetin e plotë për vazhdimin e bashkëpunimit të shkëlqyeshëm mes Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar./Indeksonline/