Nga Gazmend Abrashi
Hashim Thaçi, nga pozita e kryetarit të PDK-së kishte premtuar formimin e fondit për punësim. Ky fond që do të mbushej nga paratë e privatizimit, fondi i kursimeve pensionale dhe kredi të tjera të buta do të kishte në total 1 miliardë e 500 milionë euro.
Këto para, siç propozonte Thaçi në secilin takim të fushatës parazgjedhore, do të shpërndaheshin tek bizneset, bujqit, bizneset e reja e më përvojë të gjatë. Qëllim i fondit ishte krijimi i vendeve të reja të punës, apo ishin premtuar hapja e 200 mijë vendeve të reja të punës.
Kjo ka qenë shtylla e programit të PDK-së me të cilin kjo parti ka marr shumicën e votave të qytetarëve që kanë votuar.
Në anën tjetër, LDK-ja që është renditur e dyta për nga numri i votave të fituara po ashtu i ka premtuar 120 mijë vende të reja të punës.
Nga 30 mijë vende të reja të punës në secilin vit të një mandati katër vjeçare. Edhe LDK-ja kishte premtuar formimin e një fondi, të cilin e kishin quajtur “Fond Zhvillimor”.
Fondi i LDK-së ishte paraparë të mbushej nga mjetet e privatizimit, por nuk e përjashtonte mundësinë që edhe një pjesë e kursimeve pensionale të përfundonte në këtë fond.
Çka ka ndodhur tutje në 2014 e tutje tashmë është e njohur për të gjithë: PDK-ja dhe LDK-ja kanë lidhur koalicion dhe e kanë formuar qeverinë së bashku dhe e kanë hartuar një program të përbashkët qeveritar. I kanë shkrirë aty edhe premtimet kryesore të tyre.
Në programin qeveritar është paraparë formimi i një “Fondi për investime dhe Punësim”. “Investimet nga Fondi do të përqendrohen posaçërisht në aktivitetet ekonomike, që do të synojnë të rrisin punësimin, prodhimin dhe eksportin.”
Ku jemi sot?
Nuk ka fond për Punësim (premtimi i PDK-së). Nuk ka fond zhvillimor (siç ka premtu LDK-ja). Dhe nuk ka fond për Investime e Punësim. Pra, PDK-ja dhe LDK-ja nuk i kanë realizuar premtimet kryesore të tyre dhe as nuk e kanë në plan të bëjnë një gjë të tillë.
Vende të reja të punës nuk janë hapur, sepse nuk ka pas investime siç ishte premtuar, por nuk ka pas as investime të mëdha të sektorit privat që duhet të jetë promotor i zhvillimit ekonomik të Kosovës. Pra, PDK-ja e ka mashtruar popullin me Misionin e tyre të ri, duke mos realizuar premtimin kryesor të tyre. As LDK-ja nuk e ka realizuar premtimin për Fondin dhe rritjen e punësimit.
Mësimi i parë që duhet nxjerrë nga ky mashtrim është që partitë politike duhet të bëjnë plane konkrete, të cilat janë racionale dhe të zbatueshme dhe jo të premtojnë çka t’iu vije në mendje. Bërja e planeve realiste do ta bënte edhe debatin ndërpartiak shumë më frytdhënës, se sa që të diskutohet për shifra që edhe në teori është vështirë që të argumentohen dhe lere më që ato të jenë të zbatueshme.
Kjo qeveri nuk ka aftësi dhe guxim që të kthej në treg mjetet e bllokuara të privatizimit. Kujtojmë që bllokimi i mjeteve të privatizimit i ka shkaktuar dëme të mëdha ekonomisë së vendit, sepse ato mjete janë tërheq nga bizneset kosovare dhe janë dërguar jashtë Kosovës.
Do të ishte shumë më produktive sikur ato mjete që janë grumbulluar nga privatizimi i ndërmarrjeve shoqërore të kthehen sërish tek bizneset, përmes kredive të buta apo kredive zhvillimore. Siç ka vepruar qeveria e Kosovës ka qenë opsioni më i keq i mundshëm për biznesin.
Sa i përket mjeteve të Trustit fillimisht duhet thënë se ato mjete janë të qytetarëve të Kosovës dhe si të tilla nuk mund të përdoren nga qeveria. Mirëpo, bëhet pyetja, se ku janë investuar aktualisht? Dhe çka i ndalon ato që të investohen edhe në Kosovë- kuptohet të investohen më shumë se sa që janë investuar tani.
Duket jo-reale, por a nuk do të dëshironin qytetarët e Kosovës t’i investonin mjetet e tyre në termocentralin Kosova e Re, të cilat do të kishin një kthim prej 7-10 për qind? Dhe cilat do të ishin përfitimet e Kosovës në këtë rast. Është normale që ka kufizime ligjore aktualisht, mirëpo një studim i mirëfilltë dhe një guxim qeveritar do të gjente një mundësi që nuk do t’i rrezikonte kursimet e qytetarëve të Kosovës, por as nuk do t’i mbante pjesën më të madhe të tyre jashtë Kosovës.
Shablloni i qeverive i krijuar tash e disa vite duhet të ndryshojë. Kosova ka nevojë për një qeveri më vizionare, për një qeveri më të guximshme, për një qeveri më proaktive në mënyrë që të ketë një rritje ekonomike dyshifrore.
Kjo rritje është e domosdoshme për Kosovën, nëse synohet të trajtohet papunësia e varfëria.
Ndryshe, nëse vazhdohet me premtime të parealizueshme dhe një rritje ekonomike që nuk e kalon no2rmën prej 4 për qind, atëherë do të vazhdojmë të kemi telashe me papunësinë e varfërinë. Opsioni i vetëm i qytetarëve do të jetë migrimi, që për Kosovën është humbje e asetit kryesorë – kapitalit njerëzor.