Gjykata e Apelit ka aprovuar ankesat e Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe të mbrojtësve të të akuzuarve Fevzi Hajdari dhe Taulant Tahirsylaj, duke kthyer kështu rastin në rigjykim në shkallë të parë.
Sipas vlerësimit të Gjykatës së Apelit, pretendimet ankimore përkitazi me shkeljet esenciale të dispozitave të procedurës penale, qëndrojnë, ngase, aktgjykimi i ankimuar është i përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale nga nenin 384 par.1 nën para 12 të KPK-së,
Kjo për shkak se siç thuhet në vendimin e Apelit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, dispozitivi i aktgjykimit të ankimuar nuk është përpiluar konform dispozitave të nenit 370 par.7 e lidhur me nenin 365 të KPPK-së, nga se emërtimi ligjor i veprës penale marrja e ryshfetit në bashkëkryerje nga neni 428 par. 3 e lidhur me par. 1 dhe nenit 31 të KPRK-së, nuk përputhet me përmbajtjen e dispozitivit, shkruan Lajmi.net.
Tutje, në vendimin e Apelit thuhet se, në rastin konkret dispozitivi i aktgjykimit të ankimuar është kundërthënës me vetveten ngase, nga përmbajtja e dispozitivit të aktgjykimit nuk rezulton të jetë e qartë se a është fjala për vepër penale marrja e ryshfetit në bashkëkryerje nga neni 428 par. 3 e lidhur me par. 1 dhe nenit 31 të KPRK-së, apo për vepër tjetër penale.
Përveç shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale të cekura më lartë, aktgjykimi i ankimuar sipas vlerësimit të Apelit është i përfshirë edhe me shkelje tjera esenciale të dispozitave të procedurës penale, përkitazi edhe me arsyet për faktet vendimtare, nga se arsyet e dhëna janë kontradiktore dhe pa mbështetje në provat dhe shkresat e lëndës.
Në fund të vendimit të saj, Apeli e udhëzon gjykatën e shkallës së parë, që në rigjykim duhet të veprojë në përputhshmëri me vërejtjet e cekura si më lartë, të procedojë edhe njëherë me provat, duke pasur parasysh sidomos edhe Memorandumin për Mirëkuptim në mes të ATK-së dhe AKP-së, pastaj, të njëjtat t’i vlerësojë në kuptim të dispozitave të nenit 361 të KPPK, dhe varësisht nga rezultati i vlerësimit të provave të aprovojë konkluzione të drejta dhe të ligjshme, pastaj të marr vendim.
Gjykata Themelore në Prishtinë, më 21 korrik të këtij viti, i kishte shpallur fajtorë zyrtarët e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), Fevzi Hajdari dhe Taulant Tahirsylaj, sepse në bashkëkryerje kishin kryer veprën penale, marrje e ryshfetit.
Hajdari ishte dënuar nga shkalla e parë me dy vjet burgim dhe me gjobë prej 25.000 euro, ndërsa Tahirsylaj, ishte dënuar me një vit burgim me kusht dhe me gjobë prej 8.000 euro.
Ndërsa, dy të akuzuarit ishin liruar nga vepra penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, pasi që sipas shkallës së parë, nuk kishte elemente të cilat kanë vërtetuar kryerjen e kësaj vepre penale.
Aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë e kishin kundërshtuar të dy të akuzuarit.
Kundërshtimet e tyre dhe kërkesën për lirim nga akuzat, të akuzuarit përmes mbrojtësve të tyre i kishin paraqitur, më 1 dhjetor të këtij viti, para kolegjit të Apelit.
Mbrojtësi i të akuzuarit Hajdari, avokati Ramë Gashi, në fjalën e tij para kolegjit të Apelit, kishte thënë se me aktgjykimin e shkallës së parë nuk janë plotësuar kushtet për figurën e veprës penale që i ngarkohet të mbrojturit të tij, pasi që siç tha ai, Hajdari nuk ka vepruar asnjëherë si person zyrtar.
Kjo, pasi siç cekej në ankesën e mbrojtjes së të akuzuarit Hajdari, nuk ka asnjë rrethanë që tregon se Fevzi Hajdari qoftë në biseda me të dëmtuarin apo me rastin e paraqitjes në Administratën Tatimore të Kosovës, të jetë paraqitur si person zyrtar.
Në anën tjetër, mbrojtësi i të dënuarit Tahirsylaj, avokati Behar Ejupi, në fjalën e tij para kolegjit të Apelit kishte thënë se komplet rasti ndaj të mbrojturit të tij është i bazuar në një minutë bisedë që Tahirsylaj kishte bërë me palën e dëmtuar në këtë rast, Ramush Misinin.
Në ankesën e Ejupit, theksohej gjithashtu se shkalla e parë ka vërtetuar gabimisht faktet kryesore mbi të cilat është mbështetur aktgjykimi, pasi që nuk ka pas asnjë provë tjetër, përpos deklaratës së Mesunit.
Ankesë kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ka paraqitur edhe Prokuroria Themelore në Prishtinë, me të cilën ajo kërkon që të dy të akuzuarit të dënohen edhe për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare, vepër për të cilën shkalla e parë i kishte liruar nga akuza.
Aktakuza e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, i ngarkonte të pandehurit Fevzi Hajdari dhe Taulant Tahirsylaj, se si persona zyrtarë në AKP, kanë kryer veprat penale “marrja e ryshfetit” dhe “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Të njëjtit, pretendohej se kanë kërkuar 20.000 euro nga i dëmtuari, Ramush Misini për t’ia hequr barrën tatimore në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK), lidhur me një tokë të blerë nga AKP-ja.
Tutje, sipas prokurorisë i pandehuri Hajdari, më vonë ka pranuar 15.000 mijë euro nga i dëmtuari Misini, që i njëjti ta shlyej borxhin prej 517.042.09 në ATK, me të cilin borxh kjo e fundit, e kishte ngarkuar fabrikën “IBG”, një pjesë të së cilës e kishte blerë familja Misini nga AKP-ja.