KSHZ: Deri në orën 13, dalja në votime 34.53 për qind

E publikuar: 11/12/2016 15:17
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

KomentetKomisionit Shtetëror i Zgjedhjeve bëri të ditur se deri në orën 13, dalja në votime është 34.53 për qind, që shënon rritje të ndjeshme në krahasim me të dhënat e orës 10, kur dalja ishte 9.49 për qind.

Në këtë njësi zgjedhore përballet liderët e të gjitha partive politike shqiptare.

Pjesëmarrja më e ulët vazhdon të jetë në njësinë e gjashtë me 24.03 për qind ndërsa më e larta në njësinë e katërt me 39.28 për qind. Në këtë njësi zgjedhore përballen dy liderët e partive politike maqedonase, Nikolla Gruevski dhe Zoran Zaev.

Zgjedhjet në Tetovë

Në Tetovë e rrethinë, që nga ora 7 e mëngjesit janë hapur 117 qendrat e votimit, ku të drejtën e votës pritet ta shfrytëzojnë rreth 80 mijë qytetarë.

Tetova bën pjesë në njësinë e gjashtë zgjedhore që përfshinë Gostivarin, një pjesë të Kërçovës, Dibrës dhe Mavrovës, si njësia më e madhe zgjedhore me rreth 313 mijë votues, apo rreth pesë për qind më shumë votues se njësitë e tjera zgjedhore.

Në këtë njësi është përqendruar numri më i madh i votuesve shqiptarë, që rrjedhimisht edhe do të nxjerrë numrin më të madh të mandateve nga partitë politike shqiptare. Por, pjesëmarrja në votime në këtë njësi zgjedhore vazhdon të jetë më e ulëta në krahasim me njësitë tjera zgjedhore.

“Presim që gjatë ditës të ketë dalje më të madhe të qytetarëve në votime dhe mendojmë se procesi zgjedhor do të përfundojë ashtu siç duhet”, thotë Nazmi Dauti, sekretar i Komisionit Komunal Zgjedhor në Tetovë.

Ai thotë se procesi zgjedhor deri në orët e pasdites ka rrjedhur kryesisht në atmosferë demokratike, me disa probleme të vogla që kanë qenë të pranishme edhe në ciklet e kaluara zgjedhore kur individë të caktuar, për shkak të ndryshimit të adresave të banimit, apo problemeve të natyrave teknike, nuk kanë mundur të gjejnë veten në regjistrin e votuesve.

Edhe vëzhguesit dhe anëtarët e këshillave zgjedhorë nga partitë politike, janë të kënaqur me procesin e deritashëm zgjedhor.

“Deri tani votimet kanë rrjedhur mirë, nuk kemi pasur asnjë vërejtje. Besoj se do të përfundojnë ashtu siç i ka hije një shteti demokratik”, thotë një vëzhgues i një partie politike.

Qytetarët e anketuar flasin për proces zgjedhor kryesisht të rregullt, por janë të ndarë në vlerësime lidhur me pritshmërinë e tyre.

“Shpresoj se nëse njerëzit janë të vetëdijshëm se kë do të votojnë, besoj se do të ketë ndryshime, ka shpresa të mira”, thotë Ardian Sinani.

Por, një tjerë banor i Tetovës, Ridvan Muharremi, thotë se është skeptik nëse do të ketë ndryshime:

“Skeptik jam, asgjë të veçantë nuk do të ketë. Koha ka dëshmuar se deri tani nuk ka pasur ndonjë lëvizje të madhe, por shpresa vdes e fundit”.

Stojan Baçev, banor i një lagje të Tetovës të banuar me popullatë maqedonase, thotë se mund të bëhet mirë, por për këtë duhet kohë, siç shprehet ai.

“Mendoj se politikisht ende nuk jemi të pjekur, ndoshta më vonë do të bëhet më mirë për të gjithë popujt që jetojnë këtu”, thotë Baçev.

Sidoqoftë qytetarët presin që procesi zgjedhor të kalojë në atmosferë demokratike dhe Maqedonia të dëshmojë se ka kapacitet të organizojë zgjedhje të lira dhe demokratike.

Maqedonia voton

Në orën 7 të mëngjesit në Maqedoni ka nisur procesi zgjedhor për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare.

Të drejtë vote kanë rreth 1.8 milionë shtetas, të cilët duhet të zgjedhin përbërjen e re parlamentare prej 120 deputetësh.

Sipas të dhënave të para të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, të gjitha 3,480 qendrat e votimit janë hapur me kohë dhe për momentin nuk janë regjistruar parregullsi.

Edhe organizatat që po vëzhgojnë procesin zgjedhor, përveç disa aspekteve të vogla teknike, nuk kanë raportuar për parregullsi.

Asociacioni “MOST”, që vëzhgon procesin zgjedhor me numrin më të madh të vëzhguesve, në konferencën e parë për shtyp, ka bërë të ditur se dy vendvotime në Maqedoni janë hapur me vonesë, prej 15 minutash në Kumanovë dhe prej 30 minutash në Veles, ndërkohë që janë regjistruar dhe dy raste të fotografimit të fletëvotimeve.

“Në lagjen ‘Gjorce Petrov’ të Shkupit një votues e ka fotografuar fletëvotimin me ç`rast është thirrur dhe policia për t’i arrestuar personat, të cilët kanë shkelur ligjin dhe kanë fotografuar fletën e votimit”, ka nënvizuar kryetari i asociacionit “MOST”, Darko Aleksov.

Taip Nuredini, vëzhgues në vendvotimin në lagjen Çair të Shkupit, për Radion Evropa e Lirë ka bërë të ditur se tërë procesi zgjedhor është duke u realizuar me rregull dhe se nuk janë regjistruar ankesa nga ana e qytetarëve

“Gjithçka është në rregull, të gjitha vendvotimet në lagjen Fushë Topanë të Shkupit janë hapur në orën shtatë të mëngjesit dhe i tërë procesi deri më tani është në rregull, nuk kemi pasur asnjë ankesë nga ana e qytetarëve”, ka thënë Nuredini.

Zgjedhjet në Maqedoni
Zgjedhjet në Maqedoni
​Qytetarët e Maqedonisë janë shprehur se presin që qeveria e ardhshme, e cila do të dalë nga forcat politike, që do ta fitojnë besimin e elektoratit, do të angazhohen për një jetë më të mirë, që të kthehet besimi në sistemin gjyqësor, si dhe të zhbllokohet procesi i integrimit të vendit në strukturat veri-atlantike.

“Shpresoj që kushdo që të dalë fitues nga këto zgjedhje, të angazhohet për realizimin e kërkesave të qytetarëve në formë të barabartë, pavarësisht se kush për kë ka votuar. Me prioritet për qeverinë e ardhshme do të duhet të jetë që të eliminohen anomalitë, të cilat janë të pranishme në shoqëri, veçanërisht ato në sistemin gjyqësor, si dhe integrimi i vendit në aleancën veri-atlantike. Pra, këto çështje janë më se me prioritet”, i ka thënë Radios Evropa e Lirë, Bajram Ramadani.

Ndërkaq, për Hazir Jetishin, rreth të 70-ve, vota është e drejtë e çdo qytetari dhe ai këtë të drejtë beson se do ta japë në opsionin që do të angazhohet për realizmin e të drejtave të shqiptarëve.

“Bashkë me bashkëshorten kemi dalë të kryejmë obligimin për të votuar. Cila do parti, që do të dalë fituese, duhet uruar fitoren dhe shpresoj të mos ketë probleme dhe incidente siç kishte në ciklet e kaluara zgjedhore”, është shprehur Jetishi.

Avni Ismaili, rreth 20 vjeç ka thënë se shpreson që të hapen perspektiva për të rinjtë në Maqedoni:

“Maqedonia duhet të fillojë të ecë nga e mbara, po kështu siç kanë vepruar deri më tani politikanët, shumë keq ka qenë për ne. Erdha të votoj për një jetë më të mirë. Qeveria e ardhshme duhet t’i lirojë si e para të gjithë të burgosurit politikë dhe njëherësh drejtësia të vlejë për të gjithë qytetarët njëlloj”.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Maqedoni erdhën si pasojë e krizës së thellë politike, në të cilën ndodhet vendi që nga zgjedhjet e vitit 2014, e në veçanti pas asaj që njihet si aferë e përgjimeve që lëkundi stabilitetin e vendit me trazirat më të mëdha që nga pavarësia e saj, 25 vjet më parë.

Në garë për mandate janë 11 lista të partive dhe koalicioneve partiake, katër prej të cilave janë të subjekteve politike shqiptare. Beteja kryesore zhvillohet mes VMRO DPMNE-së, LSDM-së, BDI-së, PDSH-së, Lëvizjes Besa dhe Aleancës për Shqiptarët.

Zgjedhjet mbahen sipas sistemit proporcional me lista të mbyllura dhe ato po zhvillohen në gjashtë njësi zgjedhore ku çdonjëra prej tyre nxjerr nga 20 deputetë.

Një ditë më parë, të shtunën, votimet janë mbajtur në diasporë, ku nga dalja në votime do të varet nëse do të ketë edhe tre apo më pak deputetë shtesë në institucionin e ri ligjvënës.

Nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve thanë se fletët e votimit dhe materiali tjetër i nevojshëm për realizimin e procesit zgjedhor,është shpërndarë me kohë dhe presin që zgjedhjet të kalojnë në atmosferë demokratike.

Procesi i votimit po monitorohet nga rreth 5 mijë vëzhgues vendorë dhe ndërkombëtarë.

“Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ka akredituar 4,047 vëzhgues nga gjashtë organizata vendore, rreth 650 vëzhgues të huaj, 60 gazetarë, përkthyes dhe personel tjetër që do të jetë pjesë e procesit të vëzhgimit të procesit zgjedhor”, deklaroi Lupka Guguçevska, zëdhënëse e KSHZ-së.

Numrin më të madh të vëzhguesve të huaj e ka misioni i OSBE-ODIHR, pastaj Këshilli i Evropës dhe Parlamenti Evropian. Përfaqësuesit e ambasadave dhe misioneve të huaja diplomatike në vazhdimësi kanë bërë thirrje për zgjedhje të lira dhe demokratike si kusht kryesor për kthimin e Maqedonisë në normalitet.

Për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor janë angazhuar edhe forca të shumta policore të pranishme në të gjitha vendvotimet. Për prishjen apo pengimin e procesit zgjedhor në bazë të ndryshimeve të reja të Kodit Zgjedhor parashihen dënime të ashpra që nga gjobat që sillen deri në 5 mijë euro e deri në dënime prej 3 deri më 5 vjet burg në rast të mbushjes së kutive të votimit apo mashtrimeve zgjedhore.(REL)