Drejtori i KDI-së, Ismet Kryeziu, i ka dalë në mbrojtje deputetes Duda Balje, e cila po ‘sulmohet’ nga eksponentë të VV-së se pse nuk po e voton Albulena Haxhiu për kryetare të Kuvendit të Kosovës.
Ai ka bërë me dije se Balje ka të drejtën kushtetuese të shprehë vullnetin e saj politik pa iu nënshtruar presionit apo frikësimit.
Në profilin e tij në “Facebook”, Kryeziu ka shkruar ka shkruar se Balje si grua në politikë dhe si përfaqësuese e një komuniteti pakicë, meriton respekt të dyfishtë për autonominë e saj vendimmarrëse.
“Duda Balje, si çdo deputet tjetër, ka të drejtën kushtetuese të shprehë vullnetin e saj politik pa iu nënshtruar presionit apo frikësimit. Në një demokraci, deputetët nuk janë të detyruar të votojnë në një mënyrë të caktuar vetëm sepse një pjesë e opinionit publik ose disa eksponentë të partisë më të madhe e kërkojnë këtë. Mbi të gjitha, si grua në politikë dhe si përfaqësuese e një komuniteti pakicë, ajo meriton respekt të dyfishtë për autonominë e saj vendimmarrëse”, ka shkruar Kryeziu.
Sipas tij, nuk është faji i Duda Baljës që nuk po konstituohet Kuvendit.
“Zhgënjimi, linçimi dhe shpifjet e drejtuara ndaj një deputeteje, aq më tepër një gruaje dhe përfaqësueseje të një komuniteti pakicë, janë jo vetëm të papranueshme, por përbëjnë edhe një regres të madh për standardet demokratike. Kuvendi nuk po arrin të konstituohet, jo për shkak të një deputeteje, por për shkak të mungesës së një marrëveshjeje politike”, ka shkruar Kryeziu.

















