Kryetarja e Graçanicës deklaron tri rroga, dy i merr nga Serbia

E publikuar: 09/05/2023 16:55
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetarja e Komunës së Graçanicës, Ljiljana Shubariq ka deklaruar pasurinë e majme të saj për vitin 2022 në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit.

Kryetarja Shubariq ka deklaruar pasuri tri banesa, dy shtëpi, dy troje dhe dy toka, të gjitha në vlerë prej 355 mijë euro.

Në regjistrin për deklarim në APK, Shubariq ka dekalruar edhe për të ardhurat e saj vjetore. Përveç pagës si kryetare e komunës në Graçanicë në vlerë prej 15 mijë e 312 euro në vit që merr nga buxheti i Kosovës, ajo ka deklaruar edhe dy rroga të tjera të ardhura nga Serbia.

Sipas deklarimit të saj në APK, ajo merr pagë 16 mijë e 503 nga Serbia përmes listës së pagave nga Fakulteti i Mjekësisë në Mitrovicë, si dhe pagën e dytë nga Serbia në vlerë prej 12 mijë e 750 euro përmes listës së pagave, Qendra klinike spitalore në Graçanicë.

Po ashtu Shubariq ka deklaruar 2 mijë e 39 euro mëditje nga komuna e Graçanicës për udhëtime pune jashtë vendi.

Krahas të hyrave në familjen e saj, ajo ka deklaruar edhe paga e tjera nga Serbia që marrin bashkëshorti dhe fëmijët e saj.

Bashkëshorti i saj përmes listës së pagave në Shtëpinë e shëndetit në Gushtericë, paguhet nga Serbia 13 mijë e 140 euro, sikur edhe fëmijët e saj paga neto përmes listë së pagave, QKS-Mitrovicë e veriut, nga Serbia 6 mijë e 100 euro dhe prindërit pensionet bazë përmes Serbisë 4 mijë 100 euro.

Kryetarja e Graçanicës ka treguar edhe për pasurinë e luajtshme, e cila ka dy vetura të përbashkëta, njëra në vlerë 5 mijë e 800 euro dhe tjetra 11 mijë e 500 euro.