Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, priti sot në takim kongresmenin amerikan Eliot Engel, me të cilin bisedoi për zhvillimet aktuale në Kosovë, perspektivën evropiane të saj, si dhe për bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve.
Duke iu uruar mirëseardhje në Kosovë, kryeparlamentari Veseli i shprehu kongresmenit Engel falënderime të veçanta për angazhimet dhe kontributin e tij të pandalshëm, si në sensibilizimin e çështjes së Kosovës, ashtu edhe në përpjekjet për çlirim dhe pavarësi, të cilat u finalizuan më 17 shkurt 2008 në Kuvendin e Kosovës.
Kryetari Veseli e njoftoi kongresmenin amerikan edhe me proceset nëpër të cilat po kalon vendi ynë, duke i shpalosur edhe sfidat dhe vështirësitë me të cilat ai po përballet.
Kongresmeni Eliot Engel, nga ana e tij, duke çmuar të arriturat e deritashme të Kosovës, premtoi se do të vazhdojë të angazhohet për të mirën e Kosovës edhe në të ardhmen.
Engel tha se Qeveria, Kongresi dhe populli amerikan, do të vazhdojnë të jenë përkrah Kosovës në rrugëtimin e saj drejt integrimit euro-atlantik.