Veseli: Jemi në fazën kur dialogu dhe mirëkuptimi pozitë-opozitë është çelësi i vetëm i ecjes përpara me agjendën tonë në procesin e euro-integrimeve
Lunaçek: Qytetarët e Kosovës janë qytetarë të Evropës dhe BE-ja duhet t’i liberalizojë vizat për ta
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Kadri Veseli priti në takim nënkryetaren e Parlamentit Evropian, njëherësh raportuese për Kosovën në këtë parlament, znj. Ulrike Lunaçek, me të cilën diskutoi rreth zhvillimeve aktuale në vend dhe rajon, dialogun dhe sfidat e Kuvendit në procesin e euro-integrimeve.
Kryetari Veseli e njohu znj. Lunaçek me agjendën legjislative, vështirësitë aktuale, nënshkrimin e MSA-së, përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave, rëndësinë e procesit të dialogut, si dhe zhvillimin ekonomik të vendit.
“Jemi në fazën kur dialogu dhe mirëkuptimi pozitë-opozitë është çelësi i vetëm i ecjes përpara me agjendën tonë në procesin e euro-integrimeve. Kemi ofruar vazhdimisht mundësi që të diskutojmë pa kufizime për çështjet e ngritura nga opozita, sepse jemi në situatë kur imazhi i vendit është luhatur para opinionit të brendshëm dhe të jashtëm”, theksoi kryetari Veseli.
Znj. Lunaçek vuri në dukje rëndësinë e proceseve nëpër të cilat po kalon Kosova, respektimin e instancave përgjegjëse lidhur me marrëveshjet, debatin me argumente brenda Kuvendit, por edhe njohjen e opinionit me punën institucionale. Ajo ritheksoi mbështetjen e plotë të saj në këto procese, duke vënë në dukje se qytetarët e Kosovës janë qytetarë të Evropës dhe BE-ja duhet t’i liberalizojë vizat për ta.
Lunaçek theksoi rëndësinë e dialogut ndërmjet Qeverisë dhe opozitës, duke e vlerësuar të domosdoshëm edhe dialogun politik ndërmjet partive politike për normalizimin e jetës institucionale.