Kryetari i Degës në Zvicër të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Shefqet Dibrani, e ka akuzuar kryetarin e LDK’së, njëherësh kryeministër i vendit, Isa Mustafa, se ai dëshiron t’i shkatërrojë degët e diasporës.
“Isa Mustafa dëshiron t’i shkatërrojë degët e diasporës, për shkak të dëshmive që i kanë këto degë për keqpërdorimin marramendës të 3 përqindëshit nga Isa Mustafa dhe ‘klika’ e tij”, ka thënë Dibrani në televizionin Rrokum.
Ai ka thënë se e ka një arkiv të tërë në shtëpinë e tij në Zvicer, ku ka argumente për keqpërdorime nga Mustafa.
Sipas Dibranit, Mustafa po sillet keq me anëtarët e LDK’së nga diaspora vetëm për këtë arsye.
“Deri në fund do t’i shkojmë dhe do të tregojmë se sa e urren Mustafa demokracinë dhe botën e lirë”, ka deklaruar Dibrani.
Ai ka thënë se edhe pse në Kosovë Mustafa i ka shndërruar njerëzit në LDK si vegla të tij, në Zvicër nuk do të mundet.
“Simpatizantët e Mustafës në Zvicër i zë një autobus”, është shprehur Dibrani.
Ai ka thënë se do të shkojë në Kuvendin e Punës që LDK do ta mbajë të shtunën.
“Unë kam marrë mesazhe, por kam një obligim ndaj votuesve në Zvicër, nuk lejoj t’i shkatërrojë Mustafa me klanin e tij. Tutë nuk kam, le ta dijë edhe Mustafa, edhe të tjerët. Qofsha gjallë, me shpirt do të shkoj”, është shprehur ai.
Dibrani ka thënë se legjitimitetin atij ia ka dhënë Kuvendi që është mbajtur më 8 Maj. “Kemi qenë gjithsej 4 kandidatë dhe kemi votuar nën vëzhgimin e kamerave, kurrkush nuk mundet të ma marrë këtë legjitimitet”, ka deklaruar ai.
Duke folur për peticionin, ku kërkohet dorëheqja e Mustafës, Dibrani ka thënë se nese ekziston vullneti, ai peticion do të vijë edhe nëpër degët e LDK’së në Kosovë.
“Isa Mustafa është një pulë e lagur para personaliteteve serbe, e ndaj shqiptarëve e anëtarëve të partisë së tij është diktator. Mustafa njërën këmbë e ka pasur në institucionet shtetërore, e tjetrën në Serbi”, është shprehur Dibrani në televizion Rrokum.
Ai ka thënë se shpreson se brenda LDK’së ka mbetur një shtresë e papërfshirë në krim ekonomik dhe politik, dhe që mundet të nxjerrë LDK’në nga gjendja aktuale.