Kryetari i Tetovës e konfirmon përkrahjen e Kurtit për opozitën shqiptare në Maqedoninë e Veriut

E publikuar: 13/08/2023 18:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Tetovës, Bilall Kasami tha se kryeministri Albin Kurti e përkrahë frontin opozitar shqiptar në Maqedoninë e Veriut, raporton Gazeta Express.

Vizita e Kurtit në Maqedoninë e Veriut u konsiderua private e nga dikush edhe përçarëse dhe u pa në kuadër të bashkëpunimit të Lëvizjes Vetëvendosje me opozitën shqiptare atje. Shefi i Qeverisë së Kosovës s’e pranoi qartësisht këtë, por tha se vizita e tij ishte “kryekëput shkaku i ftesës që kam pasur”.

“Qeveria nuk ia doli ta fsheh apo kontrollojë frikën nga humbja në zgjedhjet e ardhshme, sidomos kur në pah doli fronti opozitar i bashkuar dhe me një përkrahje nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti”, shkroi sot në Facebook kryetari i Tetovës, Bilall Kasami.

Ai përmendi edhe Qeverinë dhe Presidentin e Malit të Zi, Stevo Pendarovski, që reaguan duke dënuar mënyrën e organizimit të ngjarjeve.

“E kuptojmë shqetësimin e Presidentit dhe Qeverisë, të cilës për çudi me përkrahje e reagime i doli krah edhe Beogradi, dhe e dimë se retorika e këtillë politike, nuk ka të bëjë aspak me vizitën e Albin Kurtit, por ka të bëjë me shqetësimin se opozita shqiptare në RMV po bashkohet dhe kësisoj ia numëron ditët kësaj qeverie të krimit dhe korrupsionit/ Ardhja e kryeministrit Kurti sa ishte respekt dhe nder për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, po aq ishte edhe respekt për shtetin e Maqedonisë së Veriut, me të cilin është nënshkruar memorandumi i projektit të përbashkët, rrugës Tetovë-Prizren”, shtoi Kasami.

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti sot ka bërë thirrje për bashkim, me rastin e 22-vjetorit të Marrëveshjes së Ohrit mes shqiptarëve dhe maqedonasve për të krijuar raporte të reja shoqëroro-politike për ta ndërtuar shqetitn që sot quhet Maqedonia e Veriut.

Ahmeti përmes një video-mesazhi tha se bashkimi “rreth frontit europian” është nevojë dhe përgjegjësi historike.

Kryetarët e partive shqiptare opozitare në Maqedoninë e Veriut, Lëvizja Besa, Alternativa dhe Lëvizja Demokratike e shkëputur së fundmi nga BDI-ja, i kanë intensifikuar takimet. Vizita e Kurtit në Maqedoninë e Veriut u pa edhe si përpjekje për bashkimin e partive shqiptare në shtetin fqinj.

Maqedonia e Veriut është para një procesi ku do t’i duhet të lëvizë në përpjekje për t’i shpëtuar bllokimit të procesit të integrimit të vendit në BE. Parakusht në këtë rrugë është çështja e ndryshimit të Kushtetutës dhe përfshirjen e bullgarëve në preambulë. Duke qenë kështu, Ahmeti bëri thirrje për bashkimin e shqiptarëve pasi tha se “vendimet e mëdha kërkojnë guxim, e jo kalkulim; kërkojnë vizion, e jo shkurtpamësi; kërkojnë prirje, e jo struktim”.