Oleksandr Svidlo, kryebashkiaku i qytetit të Berdyanks në bregun jugor të Ukrainës ka deklaruar se forcat ruse kanë hyrë dhe kanë marrë kontrollin e qytetit.
Berdyanks, ka një bazë të vogël detare dhe një popullsi prej rreth 100 mijë personave.
Svidlo postoi një mesazh për banorët e qytetit ku tha:
“Pak orë më parë ju dhe unë pamë se si pajisje të rënda ushtarake dhe ushtarë të armatosur hynë në qytet dhe filluan të përparojnë në të gjithë qytetin tonë. Sapo mësova për këtë u përpoqa të informoj të gjithë banorët e qytetit që të keni mundësi të fshiheni në strehimore”.
Ai gjithashtu tha se disa kohë më parë, ushtarë të armatosur hynë në ndërtesën e komitetit ekzekutiv dhe u prezantuan si ushtarë të ushtrisë ruse.
“Ata na njoftuan se të gjitha ndërtesat administrative ishin nën kontrollin e tyre dhe se po merrnin nën kontroll ndërtesën e komitetit ekzekutiv”, vazhdoi ai.
Svidlo tha se zyrtarëve iu është kërkuar të vazhdonin punën, por nën kontrollin e njerëzve të armatosur.
“Unë e konsideroj këtë të papranueshme, kështu që ne, si të gjithë anëtarët e shtabit operativ, u larguam nga ndërtesa e komitetit ekzekutiv”.


















