Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, priti në takim gazetarët nga Ukraina, të strehuar në Kosovë në kuadër të programit “Gazetarët në Rezidencë”, i iniciuar nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, Qendra Evropiane për Liri të Shtypit dhe Medias, si dhe mbështetur dhe financuar nga Qeveria e Kosovës.
Në takimin e përzemërt, Kryetari Konjufca theksoi ndër të tjera se populli i Kosovës qëndron përkrah popullit të Ukrainës në këto kohë të vështira por edhe atëherë kur paqja dhe liria sërish do të ngadhënjejnë atje. Ai po ashtu vuri në pah se Republika e Kosovës i është bashkuar botës humane e demokratike duke e dënuar agresionin e Federatës Ruse ndaj Ukrainës dhe i është përgjigjur edhe me sanksione këtij agresioni të paprovokuar.
“Jeni çdoherë të mirëpritur në shtetin tonë dhe ndihuni si në shtëpinë tuaj”, u shpreh Kryetari i Kuvendit.
Ndërkaq, gazetarët e Ukrainës e falënderuan për pritjen Kryetarin Konjufca dhe shprehën mirënjohjen e tyre për mikpritjen e ngrohtë dhe mbështetjen që u ka ofruar populli dhe Republika e Kosovës.