Kreu i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, në një konferencë për media ka bërë të ditur se në gjashtë qendra votimit në gjashtë komuna të vendit ka probleme me energji elektrike.
Ai ka treguar se për këtë është njoftuar KEDS dhe se janë në kontakt me kompaninë.
“Sipas raportit të orës 11:00, në Dhomën Operative të KQZ-së janë raportuar probleme me mungesë të energjisë elektrike në 6 Qendra të Votimit që i takojnë 6 komunave: Istog, Ferizaj, Viti, Rahovec, Graçanicë dhe Gjilan. Komisionet Komunale të Zgjedhjeve kanë njoftuar KEDS-in lidhur me këtë.”, ka thënë Radoniqi.
Ai gjithashtu ka treguar edhe për njoftimet që janë pranuar nga komuna e Rahovecit, ku janë vërejtur fletëvotime me shenja të dukshme tek numrat.
“Po ashtu, kemi pranuar njoftim nga komuna e Rahovecit, ku në Qendra të Votimit është vërejtur se fletëvotimet kanë shenja të dukshme në numra. Kjo ka shkaktuar ankesa në radhët e këshillave të vendvotimeve.”, ka thënë Radoniqi.


















