Organizimi i Lojërave Mesdhetare 2030 në Kosovë, një ngjarje historike kjo jo vetëm për Kosovën, nuk po ecën me ritmin më të mirë të mundshëm, pasi po përballet me disa vonesa, që në radhë të parë kanë të bëjnë me ndërtimin dhe përgatitjen e infrastrukturës sportive.
Një goxha ndihmë, megjithatë, do ta ofrojë Shqipëria, e cila do të jetë bashkëorganizatore për shkak se garat në ujë do të zhvillohen në Durrës.
Fakti se Mesdhetaret luhen në Kosovë e Shqipëri përbën një ngjarje madhore dhe moment të vecantë për të dyja vendet dhe më gjerë, sipas presidentit të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH), Fidel Ylli.
“Ky është një eveniment jo vetëm për Kosovën dhe për Shqipërinë, por për të gjithë rajonin, sepse për herë të parë zhvillohet në rajonin tonë një palë lojëra, Lojërat Mesdhetare, ku marrin pjesë tre kontinente: Azia, Afrika dhe Evropa. Janë lojëra të jashtëzakonshme, që marrin pjesë Franca, Italia, Sllovenia, Kroacia, Mali i Zi, Maqedonia, Shqipëria, Turqia, Greqi, Qipro, vendet afrikane, Algjeria, Tunizia, Egjipti. Janë vende që kanë një sport shumë të zhvilluar”, thotë Ylli.
Ylli thotë se këto gara janë të një rëndësie të vecantë edhe për faktin se, në njëfarë mënyrë, përbëjnë edhe një fushatë diplomacie për njohjen dhe promovimin ndërkombëtar të Kosovës, përmes sportit, fushe kjo, që, sipas tij, në këtë aspekt, ka ecur më shpejt se politika. Pos kësaj, ai shton se Lojërat Mesdhetare do të kenë ndikim të madh, për të mirë, edhe në imazhin turistik dhe infrastrukturor të Kosovës.
Megjithatë, ecuria e punëve rreth këtyre lojërave nuk ka shkuar sipas planifikimeve dhe duke e ditur këtë gjë, kreu i Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar shpreh shqetësimin për ritmin e përgatitjeve, duke bërë thirrje që institucionet përgjegjëse në Kosovë të angazhohen maksimalisht për garantimin e një organizimi dinjitoz.
“Mendoj që qeveria e Kosovës është mbrapa dhe duhet ditë-natë të punojë Komiteti Organizator që këto lojëra të realizohen më së miri. Në këto lojëra merr pjesë edhe Shqipëria, ku të gjithë pjesa e lojërave të ujit do të jenë në Durrës, ku do të jetë Prishtina dhe Durrësi, ku ne kemi marrë përsipër me stafin tonë dhe me Bashkinë e Durrësit për të qenë prezent, për ta asistuar në zhvillimin e këtyre lojërave dhe për të marrë atë pjesën tonë që është firmosur në kontratë nga dy ministrat dhe nga dy qeveritë. Por investimi është i gjithi i Komitetit Organizator të Kosovës. Për shpenzimet që do të duhen, ne do të marrim pjesë që aty ku sportistët tanë të Lojëra Mesdhetare që do të vijnë në Durrës, duhet të marrim pjesë për çështjen e vizave të tyre, për mbarëvajtjen e mbërritjen e tyre, për policinë e shtetit, për sigurimin e aktivitetit, për hospitalitetin, për të gjithë mbarëvajtjen që lojërat e ujit do të zhvillohen në Durrës.
Ylli thotë se për pjesën e garave në Durrës, ka nevojë për koordinim të ngushtë mes autoriteteve vendore dhe Komitetit Organizator në lidhje me ndarjen e përgjegjësive dhe kostove financiare.
Duke folur përtej Lojërave Mesdhetare, Ylli përmend suksesin e sportistëve kosovarë në arenën ndërkombëtare dhe medaljet olimpike të fituara ndër vite, duke apeluar te qeveritë në Prishtinë e Tiranë ta shohin sportin si prioritet strategjik dhe si një strategji të rëndësishme diplomacie.
Siç mëson KosovaPress, një ekip specialistësh nga Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare do ta vizitojë Durrësin, së shpejti. Ata do të inspektojnë vendin e përzgjedhur për sportet ujore dhe do të përcaktojnë standardet teknike të nevojshme për ndërtimin e infrastrukturës së garave. Gjetjet e tyre do të jenë vendimtare për të përcaktuar hapat e mëtejmë dhe kostot përkatëse të kësaj pjese të Lojërave.
Përtej sfidave, Mesdhetare 2030 mbeten një mundësi unike për të promovuar, pos sportit, edhe turizmin, kulturën dhe imazhin e Kosovës dhe Shqipërisë në botë.


















