Kryetari i Gjilanit për Muratin: Ndodh që s’ma hap telefonin

E publikuar: 15/05/2023 14:22
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Alban Hyseni

Alban Hyseni

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, e ka pranuar se edhe kryetarët e komunave, që i takojnë partisë në pushtet, kanë probleme në komunikim me ministrin e Financave, Hekuran Murati.

Sipas tij, ka raste që ministri Murati nuk ia hap telefonin. Hyseni ka pohuar se ekzistojnë probleme ndërmjet kryetarëve të komunave dhe ministrit Murati sa i përket komunikimit.

Këto komente ai i bëri pas takimit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit me kryetarët e komunave.

“Ndodh që nuk na e hap telefonin edhe neve, nuk është komunikimi i atillë edhe çfarë mund të pretendohet. Nuk jemi në një linjë të komunikimit për 24 orë, mund të themi kështu. Kemi shumë probleme dhe shumë telashe”.

“Për shembull mua në Gjilan më ka ndodhur që një herë ose dy mu kanë mbyllur xhirollogaritë bankare për shkak të borxheve dhe për këtë punë s’ka mund të më bëjë zgjidhje as ministri, as askush”.

“Unë e kuptoj ministrin nëse ndonjëherë nuk e hap telefonin. Por, problemet e komunikimit ekzistojnë edhe ndërmjet kryetarit e qytetarëve, por edhe ndërmjet kryetarit e ministrave”, tha Hyseni.