Kryesuesi i Bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu ka thënë se ata ende nuk e kanë pranuar vendimin e Kushtetueses e cila ka vendosur se rreth 40 milionë euro do t’u kthehen konsumatorëve, të cilët e kanë paguar rrymë për serbë në veri të Kosovës.
Kryesuesi i Bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu, ka thënë se ata ende nuk e kanë pranuar vendimin e Kushtetueses.
“Jam jashtë Kosovës dhe nesër kthehem. Do ta shqyrtojmë vendimin së bashku me ekipin dhe do të vendosim”, tha Fejzullahu për televizionin Dukagjini.
Ndryshe, Gjykata Kushtetuese ka vendosur se rreth 40 milionë euro do t’u kthehen konsumatorëve, të cilët e kanë paguar rrymë për serbë në veri të Kosovës – bazuar në një vendim që ishte marrë nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE) në vitin 2012 – i cili sipas Kushtetueses, ka shkelur disa ligje.
Avokati i Popullit kishte paraqitur padinë për anulimin e këtij vendimi dhe kompensimin e dëmit për konsumatorët.
Pas vlerësimit të pretendimeve të Avokatit të Popullit, Gjykata Themelore, Apeli dhe Supremja kanë konfirmuar se vendimi i ZRrE-së ishte i kundërligjshëm dhe kanë urdhëruar kthimin e shumës së faturuar.
“Rrjedhimisht, Gjykata, duke aplikuar kriteret dhe parimet e elaboruara, përkitazi me vendimin e arsyetuar gjyqësor dhe në veçanti duke u bazuar në interpretimin e dhënë përmes Aktgjykimeve të gjykatave të rregullta të kontestuara para Gjykatës, konstatoi që të njëjtat kanë adresuar dhe u janë përgjigjur të gjitha pretendimeve thelbësore të parashtruesit të kërkesës të ngritura përmes përgjigjes në padi, përkatësisht ankesës, si dhe kërkesës për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor, dhe konstatoi që Aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës Supreme nuk është në kundërshtim me dispozitat e kontestuara të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, thuhet në vendim.