Kuvendi i Kosovës i ka proceduar për në Gjykatën Kushtetuese dy amendamentet kushtetuese, që i hapin rrugë themelimit të Gjykatës Speciale për Kosovën, raporton KTV.
Kreu i Kuvendit Kadri Veseli ka thënë se këto amendamente i dërgojnë në Kushtetuese që të sigurohen se të njëjtat janë në përputhje me frymën kushtetuese.
Ai tha se të drejtën për amendamentim e kanë një e katërta e deputetëve, presidentja dhe Qeveria.
Veseli tha se themelimi i Gjykatës Speciale është një obligim ndërkombëtar që Kosova e ka marr vitin e shkuar, derisa shtoi se Kuvendi do t’i marrë vendimet që janë në përputhje me Kushtetutën dhe interesin e qytetarëve.
Kur u pyet se ai personalisht si do të veprojë, Veseli tha se UÇK-ja ka bërë luftë të drejtë duke e çliruar popullin nga padrejtësitë dhe robëria.
“Çdo gjë që ka të bëjë me të drejtën e UÇK-së dhe Kosovës si shtet ne do të procedojmë në mënyrë që asnjë njollë të mos i mbetet Kosovës dhe luftës së shenjtë të UÇK” ka thënë Veseli.
Ai foli edhe për luftën kundër korrupsionit kërkesë kjo e vazhdueshme ndërkombëtare.
Tha se korrupsioni duhet të ndalet në mënyrë që Kosovës që t’i hapet perspektivë dhe zhvillimin ekonomik. Ndryshe para gazetarëve nuk janë deklaruar asnjë nga përfaqësuesit e partive.