Kryeshefi Ekzekutiv i Telekomit të Kosovës, Bedri Istrefi, vetëm një muaj pasi e mori detyrën, ka marrë disa vendime drastike që synojnë ta shpëtojnë ndërmarrjen dikur më profitabile në vend.
Kryeshefi Istrefi ka shpjeguar për Ekonomia Online se vendimet që kanë hyrë sot në fuqi, do të prekin pozitat e larta, pasi do të ulen tërë struktura e gradave “me efekt të përkohshëm dhe deri në përmirësimin e situatës financiare të korporatë”, e deri te punonjësit, pasi priten dhe pensionime të parakohshme.
Mes masave do të jenë ndalja e punësimeve të reja, ndërprerja e kontratave të hapësirave reklamuese, ulja e shpenzimeve të qirasë dhe reduktimi i përdorimit të veturave zyrtare.
Istrefi ka thënë se i ka marrë këto vendime duke vepruar në kuadër të autorizimeve të tij si kryeshef Ekzekutiv, mbështetur në autorizimet e përcaktuara në matricën e autorizimeve të TK ndërlidhur me procesin e Strategjisë Dalëse të aprovuar nga Bordi i Drejtorëve.
“Menaxhmenti Ekzekutiv i propozon Bordit të Drejtorëve që me efekt të përkohshëm dhe deri në përmirësimin e situatës financiare të korporatës, të bëhet ulja e vlerës së tërë strukturës së gradave në korporatë në përqindje gjenerale dhe jo individualisht, për t’iu shmangur shkeljeve ligjore dhe kontesteve të mundshme të punëtorëve nëpër Gjykata”, është vendimi i parë, për çka është vendosur unanimisht në mbledhjen e Menaxhmentit Ekzekutiv, mbajtur të premten.
“Si rekomandime, menaxhmenti i Telekomit të Kosovës ka kërkuar nga Bordi që të na mbështesë që të kemi nivelizim të gradave dhe pozitave. Edhe në raportim që e kam pasur në Qeverinë e Kosovës, e kam ngritur si shqetësim atë që e kam vërejtur dhe e kemi identifikuar ne si staf i brenda Telekomit që ka pozita që kanë dalë jashtë organogramit dhe të cilat e rëndojnë buxhetin aktual të Telekomit të Kosovës”, tha Istrefi.
“Me një vendim të tillë ka mundësi që të gjithë punonjësit të trajtohen barabartë. Kemi në sektorë dhe drejtori të caktuara ku përshkrimi dhe pozita e vendit të punës është e njëjtë, mirëpo grada apo të hyrat financiare dallojnë mes njëri apo tjetrit. Dhe këtu i kemi identifikuar si me prioritet që të ndërhyjmë që ta bëjmë këtë nivelizim të gjithë stafi të jetë i barabartë në bazë të përshkrimit të vendit të punës, t’i eliminojmë të gjitha pozitat fiktive që janë krijuar me kohë pas kohe në Telekomit të Kosovës dhe që kanë dalë jashtë organogramit”.
“Menaxhmenti Ekzekutiv, po ashtu, vendosi që menjëherë të ndërpriten të gjitha punësimet si dhe të ndalohen të gjitha risistemimet interne të cilat kanë efekte financiare dhe shprehen në rritje të gradave të punësuarit”.
Vendimi tjetër është ndërprerja e kontratave të hapësirave reklamuese.
“Menaxhmenti Ekzekutiv kërkoi që Departamenti i Marketingut, menjëherë të përpilojë një listë të kontratave aktuale të hapësirave reklamuese tek të cilat konform mundësive dhe drejtave kontraktuale, menjëherë do të dërgohet njoftimi për shkëputjen e tyre, normalisht aty ku kemi bazë ligjore, dhe kemi vlerësuar që ka mundësi që të mundemi edhe pa ato kontrata”.
Telekomi, po ashtu, do të rishikojë uljen e shpenzimeve të qirasë. “Aty ku ka mundësi do të shkohet me reduktime të menjëhershme konform mundësive nga raportet kontraktuale komerciale”, thotë kryeshefi Istrefi.
“Ne i kemi diku 540 antena dhe për secilën e kemi të obliguar që të paguhet qera aty ku i kemi të vendosur. Pavarësisht se menaxhmenti më herët ka pasur kujdes në trajtimin e këtyre rasteve dhe kemi pasur ulje të shpenzimeve, mirëpo ka hapësirë dhe mundësi ende të rinegociohen me personat, hapësirën e të cilët i shfrytëzojmë për vendosjen e këtyre PTS-ave. E kemi formuar një ekip, i cili do të merret me negocimin me ta dhe besoj që aq sa kemi mundësi përmes negociatave të zvogëlohet edhe më tutje shpenzimeve të qerasë”.
Mes masave është dhe pensionimi i parakohshëm, që pritet të prekë rreth 180 punonjës të moshës mbi 50 vjeç.
“Duhet të informohet i gjithë opinioni dhe të gjithë punonjësit e Telekomit se në TK, vetëm në këto dy vitet e fundit parashihen me dalë diku 180 veta në pension. Duke e parë gjendjen sa e rëndë dhe e vështirë është në Telekom, sot ne e kemi parë të arsyeshme që bashkërisht të përpilojmë një draft-politikë përkatëse t’i drejtohet Bordit të Drejtorëve dhe aksionarëve, në këtë rast që të gjejmë mbështetje edhe nga Qeveria e Kosovës që të gjejmë një politikë që punëtorët në mënyrë vullnetare bashkërisht me negociata me ta të arrijmë një marrëveshje dhe të marrim një vendim, një model që të krijohet mundësia e pensionit të parakohshëm për ata punëtorë dhe që të lirohet mundësia e zhvillimit të Telekomit të Kosovës”.
“Të gjitha Telekomet në botë e shohim sa janë inovative, sa e përcjellim inovacionit dhe ne sot jemi në gjendje ku sot mosha mesatare në Telekom të Kosovës është rreth 50-55 vjeç”, shprehet kryeshefi Istrefi.Vendimi i shtatë është kufizimi i përdorimit të veturave zyrtare.
“Kam marrë vendim që për të gjithë punëtorët e zyrtarët, veturat të cilat i përdorin në Telekomin e Kosovës të ndërpritet nafta, me përjashtim të Departamentit të Shitjes dhe Operativës, aty ku pjesa e departamentit teknik ka nevojë për vetura për shkak se kemi ndërhyrje ku duhet të bëjmë patjetër në zonat rurale për ndërhyrje në PTS-a, për telashet, problemet që mund të ndodhin në ato zona”, shpjegon Istrefi.
Kryeshefi i Telekomit, i cili e mori këtë detyrë më 22 shkurt, thotë se ka kërkuar nga Departamenti i Financave, i Marketingut dhe Burimeve Njerëzore që të përgatisin raporte financiare për implikimet e pritshme financiare që mund të reflektohen nga vendimet e marra nga menaxhmenti ekzekutiv. Vendimet duhet të marrin dhe përkrahjen formale nga Bordi, në mbledhjen që do të mbahet këtë të premte, më 29 mars.
Intervista e plotë me kryeshefin e Telekomit, Bedri Istrefi, publikohet të martën.