Se në krye të institucioneve të shtetit ka njerëz që janë nën nivelin mesatar të njohurive bazë të rregullave të drejtshkrimit të gjuhës shqipe, kjo po dëshmohet çdo ditë e më shumë.
Deri më tani janë publikuar në medie shumë artikuj që dëshmojnë këtë nivel, por rasti që tani ka siguruar portali Infokusi, duket së është kulmi i joprofesionalizmit në komunikimin zyrtar e që vjen nga njeriu udhëheqës i institucionit që ka për obligim të mbikëqyrë dhe të ndihmojë në profesionalizimin e policisë së shtetit.
Ky është Fitim Shishani, kryeshef ekzekutiv i Inspektoratit Policor të Kosovës, i cili në një shkresë zyrtare drejtuar një vartësi të tij, ka lëshuar një mal gabimesh drejtshkrimore sikur të ishte një autodidakt e jo më të të shkoj mendja së këtë shkresë e ka përpiluar një udhëheqës institucioni, dhe për më keq një profesor universitar.
Kryeshefi i IPK-së, i cili është edhe profesor në Universitetin Publik të Prizrenit, “Ukshin Hoti”, në këtë shkresë zyrtare me vetëm 13 rreshta ka bërë hiq më pak se 119 gabime gjuhësore e drejtshkrimore.
Jo vetëm kaq, por edhe shkresa si e tillë as në formë e as në përmbajtje nuk i plotëson standardet minimale të një shkrese zyrtare. Përveç gabimeve të renda gjuhësore dhe drejtshkrimore, Shishani ka përdorur edhe fjalë të pakuptimta që nuk i njeh fjalori i gjuhës shqipe, siç është fjala “parafrauar” ku as nga konteksti i fjalisë nuk mund të imagjinohet së çfarë ka dashur të thotë.
Gabimet janë të shumta dhe për të mos i numëruar të gjitha, shikojeni shkresën (faksimilen) zyrtare të Shishanit të cilën e ka siguruar portali Infokusi.com dhe sipas informacioneve tona, kjo shkresë ka qenë objekt talljeje tash e sa kohë në pothuajse gjithë stafin e IPK-së.