Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi ka qëndruar të martën rreth mesditës në Ministri të Drejtësisë, ku është pritur nga Ministri Abelard Tahiri. Ndër tjera, pas takimit, të dy drejtuesit e institucioneve përkatëse, treguan se kanë biseduar edhe për ndryshimet në ligje që do t’i japin më shumë kompetenca Kryeprokurorit të Shtetit.
Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri ka treguar se në takim e ka njoftuar Kryeprokurorin Aleksandër Lumezi për prioritetet e tij, dhe punën që po bën në ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve, që përveçse kanë të bëjnë me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, rregullojnë edhe hierarkinë brenda Këshillit Prokurorial gjë që sipas Tahirit do të rrisë efikasitetin.
“E njoftova Lumezin për prioritetet e mija dhe projektligjet që janë duke u punuar dhe do të procedohen shumë shpejt në Kuvend të Kosovës, në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Në fokus do të jetë edhe plotësim ndryshimi që do të bëhet në Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale, si dhe krijimi i një platforme që do të ndërlidhet me konfiskimin e pasurisë”, ka thënë Tahiri në një konferencë për media, në të cilën doli bashkë me Lumezin, pas takimit në ndërtesën e ish-Rilindjes.
Ai u tregua i bindur se këto plotësim ndryshime do ta lehtësojnë punën e prokurorisë dhe policisë, që të jenë sa më efikas dhe të japin rezultate më të shpejta.
“Une sapo kam propozuar në qeverinë e Kosovës edhe projektligjin që ndërlidhet me Kryeprokurorin e Shtetit, dhe po punojmë ngushtë për këtë”, tha Tahiri në konferencë.
E për këto ndryshime ligjore, më shumë foli Aleksander Lumezi, shkruan Gazeta Express.
“Ligji për Kryeprokurorin e Shtetit i cili do të forcojë hierarkinë brenda sistemit prokurorial, dhe vijën vertikale, dhe gjithashtu edhe për vijën tjetër që janë shumë të rëndësishme për funksionimin e sistemit të drejtësisë në Kosovë”, tha Kryeprokurori i Shtetit.
“Temë e rëndësishme e bisedës ishte edhe ligji mbi përgjegjësinë disiplinore të Prokurorëve dhe Gjyqtarëve, që të kenë kompetencë edhe kryetarët e gjykatave, edhe kryetari i Gjykatës Supreme, por edhe kryeprokurori i shtetit dhe kryeprokurorët e Prokurorive tjera”, sqaroi tutje ai pritshmëritë e tija në ndryshimet të iniciuara nga Ministri i ri i Drejtësisë kosovare.
Lumezi po ashtu gjatë konferencës tha se më këto ndryshime dhe me bashkëpunimin me Ministrinë e Drejtësisë pret të ketë efikasitet edhe më të madh në luftën kudër korrupsionit, krimit të organizuar dhe terrorizmit dhe në ngritjen profesionale të prokurorëve.
Derisa, në gjatë konferencës Ministir Tahiri bëri të ditur se gjatë takimit me Lumezin e ka njoftuar atë edhe me përmbajtjen e koncept dokumentit që është duke u hartuar që ndërlidhet me suspendimin e personave që janë më aktakuzë apo në hetime, për zyrtarët e lartë, si dhe projektligjin që ndërlidhet me parandalimin e konfliktit të interesit.
Nga ana tjetër, Kryeprokurori Lumezi i pyetur nga gazetarët ka folur edhe për akuzat e fundit të disa banorëve ndaj Ministrit të Bujqësisë Nenad Rikallo për krime lufte.
Tha se ende nuk ka aktvendim për nisje të hetimeve, porse janë duke u kryer veprimet që parashihen me procedurë penale.
“Ne jemi duke marr informacioni, i kemi dëgjuar disa dëshmitar, kemi marr të dhëna nga KMDLNJ dhe do ta dëgjojmë edhe ministrin në cilësinë e të dyshuarit, dhe do të shohim a ka ndonjë provë që mbështetet në fakte”, ka thënë Lumezi. /GazetaExpress/.