Prokuroria Themelore e Prishtinës ka ngritur sot aktakuzë lidhur me rastin e vrasjes së Liridona Ademajt, ndaj ish-bashkëshortit të saj Naim Murselit, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës dhe një personi tjetër, që nuk iu zbulua emri.
Prokurorja e rastit, Javorka Perlinçeviq, përmendi si një nga motivet për këtë vrasje marrëdhëniet jo të mira në çift mes Liridonës dhe ish-bashkëshortit të saj, Naim Murselit, gjatë kohës që jetonin në Suedi, që tha se kanë shkuar deri tek problemet pasurore.
“Mund të themi që përderisa kanë jetuar në Suedi, Liridona dhe Naimi, kanë pasur marrëdhënie të çrregulluara martesore dhe familjare gjatë të cilave ka ardhur edhe deri tek problemet pasurore, e për arsyet e tjera që i ka pasur Naimi që ta planifikojë dhe ta bëjë këtë vrasje, mund t’i kuptoni në Gjykatë”, ka deklaruar Prokurorja.
Ndërkaq, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi tha se presin nga gjykata dënim kapital ndaj të akuzuarve në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt.
“Sa i përket cilësimit të kësaj vepre penale është cilësuar si “Vrasje penale e vrasjes së rëndë e kryer nga anëtari i familjes dhe e kryer në mënyrë dinake dhe si e tillë presim nga gjykata një dënim kapital. Kemi arritur në mënyrë profesionale të sigurojmë të gjitha provat dhe presim epilogun në gjykatë”, tha Gashi.
Liridona Ademaj u vra mbrëmjen e 29 nëntorit 2023, në hyrje të fshatit Bërrnicë të Prishtinës, teksa po kthehej në shtëpinë e saj me bashkëshortin dhe dy fëmijët. Ajo u qëllua me plumb në qafë.