Kryeprokurori i Prizrenit: Janë evidentuar keqpërdorime të votave, Policia autorizohet të hetojë

E publikuar: 18/01/2026 17:02
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeprokurori i Prizrenit, Petrit Kryeziu, ka bërë të ditur se Prokuroria ka nisur veprime konkrete pas evidentimit të parregullsive serioze gjatë rinumërimit të votave në këtë rajon.

Kryeziu ka deklaruar se si institucion i Prokurorit të Shtetit kanë monitoruar nga jashtë procesin e rinumërimit të rezultateve zgjedhore dhe, teksa ky proces po i afrohet përfundimit, janë konstatuar keqpërdorime të dukshme të votave gjatë numërimit brenda subjekteve politike në rajonin e Prizrenit.

Sipas tij, në cilësinë e kryeprokurorit, ka ndërmarrë veprime me vetiniciativë, duke lëshuar autorizim me shkrim për Policinë e Kosovës që të identifikojë personat përgjegjës dhe të sigurojë prova relevante, përfshirë procesverbalet dhe nënshkrimet.

“Tani që rinumërimi po i afrohet fundit, janë evidentuar keqpërdorime të dukshme të votave gjatë numërimit brenda subjekteve politike në rajonin e Prizrenit. Në këtë drejtim, sot, në cilësinë e kryeprokurorit me vetiniciative kam lëshuar autorizim me shkrim për Policinë e Kosovës që të identifikojnë personat përgjegjës, të sigurojnë prova relevante, përfshirë procesverbalet dhe nënshkrimet”, ka deklaruar ai, shkruan RTV-Dukagjini.

“Çdo person që ka vendosur nënshkrimin e tij duke falsifikuar rezultatet zgjedhore dhe duke ndryshuar vullnetin e qytetarit, nuk duhet të qëndroj i qetë, do të mbajë përgjegjësi të plotë penale”, ka theksuar Kryeziu.

Ai ka shtuar se manipulimi i votës dhe falsifikimi i dokumenteve zgjedhore përbëjnë vepra penale dhe se këto raste do të trajtohen pa asnjë kompromis nga organet e drejtësisë.

Eugen Cakolli nga KDI-ja ka reaguar për debatin që po zhvillohet në vend për manipulimet me vota që janë bërë brenda partive politike, raporton KosovaPress.

Cakolli ka pyetur se çka po pret Prokuroria që s’po i nisë hetimet pasi gjatë rinumërimit të votave ka pasur ndryshime në rezultatet preliminare për kandidatët për deputetë.