Kryenegociatorët takohen të enjtën, analistët presin lajme të mira

E publikuar: 01/04/2024 22:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Çështja e zgjidhjes së dinarit, nga takimi i kaluar mes Kosovës dhe Serbisë ka mbetur pezull. I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se në takimin e kësaj jave, kryenegociatorët Besnik Bislimi e Petar Petkoviq, në Bruksel të gjejnë një zgjidhje për çështjen e Rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës.

Ai shpreson se palët në takimin e së enjtes do të arrijnë t’i kapërcejnë dallimet e mbetura.

Por, gjithë çështjen e dinarit, analistet po e vlerësojnë si një problem të panevojshëm. Ata, shpresojnë se me presionin ndërkombëtar do të gjeindet një rrugë e mesme, e pranueshme për të dy palët.

“Ajo që është me rëndësi është që të përafrohen palët dhe të kërkohet një zgjidhje, sepse sinqerisht është krejtësisht e kotë që të humbet kohë në aspektet që kanë të bëjnë me kohën e tranzicionit, sepse askush nuk po e vë në pyetje legjitimitetin e vendimit të qeverisë por gjithsesi mund të gjenden edhe opsione tjera. Esenca është që Kosova të mos identifikohet si fajtore për këtë vonesë, për këtë bllokadë, sepse mund të ketë edhe pasoja tjera, por çështja e dinarit ka mundësi të shumta që të zgjidhet pa një ndëshkim të Kosovës dhe pa një zhagitje të proceseve”, deklaroi Artan Muhaxhiri, analist politik.

“Nxjerrja në sipërfaqe e çeshtjes së dinarit pashmangshëm e ka prolonguar çështjen e marrëveshjes. Siç duket dramatizimi i temës, shkuarja e saj deri në Këshill të Sigurimit të OKB-së është një levë e Serbisë që dëshiron më e përdorë që mos me u zhvendosë përqëndrimi tek zbatimi i marrëveshjes, por dëshiron ta mbajë në skenë çështjen e dinarit” tha mes tjerash Fidan Ukaj, analist politik.

Për takimin e kësaj të enjte u deklarua edhe kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi pas përfundimit të takimit në Bruksel, duke konsideruar se do të duhej edhe një takim me homologun serb Petar Petkoviq, që të qartësoheshin qëndrimet.