Sabri Maxhuni (Novosella)
Letër e hapur
Shumë i nderuari kryeministër Edi Rama, e dëgjova me vëmendje të veçantë intervistën në “TV Klan”, ku ishit së bashku me kryeministrin e Serbisë, Vuçiq. Do të ndalëm vetëm në thëniet e juaja shumë njerëzore, duke iu drejtuar Vuçiqit: Të vijnë serbët të investojnë në Shqipëri, ta ndërtojnë bregdetin shqiptar. Të ndërtojnë hotele. Ju tjetër gjë në këtë drejtim nuk thatë!
Në kërkesën e juaj për të ardhur serbët në Shqipëri dhe për të investuar në ndërtimin e bregdetit shqiptar, respektivisht për ndërtimin e hoteleve, Vuçiqi ua ka thënë një fjalë, ashtu siç ia ka thënë edhe paria serbe parisë shqiptare gjatë shekujve, se “ti je kryeministër ndërkombëtar, ndërsa unë jam kryeministër lokal”. Prita që edhe ju do t’i përgjigjeshit në këtë kompliment por, siç u vërejt, ju u kënaqët me komplimentin e Vuçiqit!
Unë nuk di se si ta kuptoj këtë kompliment të Vuçiqit karshi jush, si kompliment të sinqertë apo si përgjigje në kërkesën e juaj për të ardhur serbët në Shqipëri për ta ndërtuar bregdetin shqiptar, për të ndërtuar hotele?!
Prita se, në këtë kërkesë tuajën që ua bëtë serbëve, do ta bënit edhe një kërkesë, që do të ishte vërtet kërkesë normale, pas kërkesës suaj drejtuar serbëve, që edhe shqiptarët të shkojnë në Serbi për të investuar, për ta ndërtuar luginën e Nishit që nga Merdari e te Molla e Kuqe, që të ndërtojnë banesa për t’u vendosur shqiptarët që u shpërngulën nga Beligradi që nga viti 1804 e këtej, atëherë kur ka filluar Kryengritja e Parë Serbe, e organizuar dhe e udhëhequr nga shqiptari Gjergji i Zi, që serbët si shpërblim ndaj tij, këtë emër e shndërruan në mbiemër për dinastinë Karagjorgjeviq, njëjtë siç kanë vepruar edhe me mbiemrin tim që ma ndërruan nga Maxhuni në Novosella.
Të bënit kërkesë që të shkonin shqiptarët në vendbanimet e veta, nga u shpërngulën me terror e gjenocid në vitin 1878, nga Nishi me 80% shqiptarë e deri në Mitrovicë me 780 fshatra shqiptare, siç e argumenton Prof. Dr. Sabit Uka në librin e tij. Kjo do të ishte plotësisht në rregull!
Thirrja e juaj për të ardhur serbët në Shqipëri që të investojnë në ndërtimin e bregdetit shqiptar duke ndërtuar hotele dhe kështu për t’i tejkaluar të gjitha barrierat që i patën shqiptarët dhe serbët gjatë historisë me njëri-tjetrin, është dashur që t’i kërkojë Vuçiqit që të dalë botërisht për t’i kërkuar falje popullit shqiptar për të gjitha ato masakra, për gjenocidin dhe deportimet e shqiptarëve nga trojet e veta dhe mbi të gjitha, të deklarohet botërisht se heqin dorë nga Naçertania e Garashaninit, Elaborati i Qubrilloviqit dhe Andriqit etj. që synonin, hiç më pak, se zhdukjen e shqiptarëve. Atëherë kërkesa e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për të ardhur serbët në Shqipëri dhe për të investuar në ndërtimin e bregdetit shqiptar duke ndërtuar hotele e objekte të ndryshme, do të ishte plotësisht me vend.
Thënia e kryeministrit të Serbisë Vuçiq drejtuar kryeministrit të Shqipërisë se është një kryeministër ndërkombëtar, ka shumë ngjashmëri me atë çfarë ua kanë thënë paraardhësve të Edi Ramës sllavo-grekët kohë më parë.
– I thanë Skënderbeut, i thanë Pjetër Bogdanit, i thanë Ali Pashë Tepelenës, i thanë Kara Mahmud Pashë Bushatlisë, i thanë Abdyl Frashërit, i thanë Sylejman Vokshit, i thanë Isa Boletinit, i thanë Enver Hoxhës, i thanë Fadil Hoxhës etj., e në vazhdë i gjithë kësaj, pra i thanë edhe Edi Ramës!
Të gjitha ato që u thanë të lartpërmendurve, epilogun e patën me masakra ndaj shqiptarëve dhe me zgjerimin e serbo-grekëve në territoret shqiptare, për të ardhur deri në vitin 1912 kur ushtria serbe hyri në Durrës, ushtria malazeze në Shkodër, ndërsa ushtria greke në Vlorë. Dhe në këto rrethana pasojë Ultimatumi i Franc Jozefit ku thuhet se nëse nuk largoheni nga Durrësi, përkatësisht nga Shkodra brenda tetë orëve, atëherë do ta bombardojmë Beogradin!
Të gjitha këto ngjarje e ndodhi e shtyn ambasadorin e Amerikës në Greqi, George Fred Williams, të pohonte qysh në vitin 1914, se “kudo që është derdhur gjaku i tyre (shqiptarëve) janë fuqizuar vendet e tjera”. Pra, vendet e tjera janë fuqizuar duke u derdhur gjaku i shqiptarëve. Është fuqizuar Serbia bashkë me Malin e Zi dhe Greqinë etj. duke u derdhur gjaku i shqiptarëve.
Edhe unë jam për fqinjësi të mirë edhe me Serbinë, por gjithsesi të plotësohen kërkesat e arsyeshme edhe të shqiptarëve dhe kryeministri i Shqipërisë dhe i Serbisë, si dy kryeministra të vendeve të veta, e jo njëri kryeministër “ndërkombëtar”, e tjetri kryeministër rajonal.