Astrit Gashi
Në një javë të plotë të gjitha gjërat në komunikim që janë të ndaluara si në aspektin shkollor ashtu edhe në atë praktik janë zbatuar me përpikëri nga Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa!
Nuk është kjo hera e parë që kryeministri i Kosovës, në mënyrën më klasike, orienton vëmendjen kah ai me gjëra krejtësisht negative për të dhe pastaj i mëshon fortë vetes duke tjerrur problemin e duke hapur fronte krejtësisht të dëmshme për reputacionin e tij.
Kjo menjëherë ka nxjerrë edhe dilemën : nëse kryeministrit duhet ti ndalohet komunikimi, pa asnjë rezonim i javës së fundit, përmes rrjeteve sociale e televizionit apo jo? Kjo dilemë është krejtësisht sipërfaqësore dhe pa efekt në aspektin afatgjatë. Kryeministrit, dhe jo vetëm atij, në fakt duhet ti ndërrohet mënyra e të menduarit në raport me qytetarin.
Komunikimi është vetëm rrjedhoje e procesit të mendimit , prandaj për ta riparuar atë duhet ta dërgojmë tek mjeshtri mendimin- sepse gjithçka tjetër “eksplodon” herë do kur.
Në teori e në praktikë janë katër gjera që duhet ti bësh në momentin e parë që të del një problem në reputacion ose kur nxitet ndonjë skandal:
Pranoje problemin
Bëhu i ndjeshëm ndaj qytetarit dhe kërko falje
Njofto masat e shpejta për riparimin e problemit.
Dil sa më shpejt nga ajo temë
Asnjërën nga këto natyrisht që nuk i ka zbatuar kryeministri, në fakt ai e ka bërë të kundërtën: zgjodhi të mos pranoj problemin, shprehu ndjeshmëri ndaj familjes së tij dhe jo ndaj qytetarit, nuk foli për mënyrën si do ta riparoj këtë problem si dhe e zgjati temën më pas edhe duke përdorur gjuhë që nuk është e denjë për të jo vetëm si kryeministër, por as edhe si një intelektual dhe akademik. Rezultati ishte ai që pritej nga këto gabime: legjitimim i gjuhës dhe gabimeve të kundërshtarëve politikë përmes një potezi rëndë të gabueshëm dhe pasqyrimi edhe në media të huaja i problemit të riparimit të një BMW nga kompania e djemve të tij. Katastrofë komplete.
Pavarësisht faktit se janë të rrethuar me konsultantë me përvojë dhe me kompani të fuqishme të Marrëdhënieve me Publik, ka dhjetëra raste kur politikanë dhe personalitet publike, bëjnë gabime të ngjajshme.
Shumë prej tyre edhe në vende perëndimore, kanë vepruar njëjtë duke mos pranuar problemin, duke mos kërkuar falje dhe mos e pranuar riparimin dhe kjo ju ka kushtuar me dorëheqje. Vetëm kujtojeni rastin e ish Ministrit të mbrojtjes së Gjermanisë, që pësoi shkaku se kishte përdorur helikopterin e shtetit në një rast për nevoja private dhe këtë e kishte mohuar deri sa u “palua” për muri dhe u detyrua të lëshonte zyrën. Kujtojeni rastin e një ministres suedeze që si pasojë që u vonua të kërkoj falje për një “gaf” racist mbi të zinjtë u detyrua të jepte dorëheqje. Mos të flasim për shumë senatorë e kongresmen amerikanë, që po kështu kanë ikur për lesh për gabime krejtësisht të imta.
Të gjithë këta kanë pasur pran vetës menaxher të komunikimit, por ata nuk kanë arritur të ja u ndryshojnë mënyrën e të menduarit, prandaj edhe kanë dështuar.
Prandaj Kryeministrit të Kosovë, duhet në fakt ti riparohet mënyra e të menduarit, në vend se ti bllokohet qasja në Facebook. Dhe jo vetëm atij, por ndoshta duke u nisur secili nga vetja, edhe gjithë shoqërisë. Ndryshe do të përfundojmë nga një katastrofë në tjetrën dhe jo vetëm në komunikim!
CICËROJE KËTË:
Kryeministrit duhet të ja riparojmë mënyrën e të menduarit, e jo të ja ndalim komunikimin.
CLICK TO TWEET