(E plotësuar) Opozita ka akuzuar kryeministrin Isa Mustafa për mos përfillje të Kuvendit.
Sipas tyre, Mustafa ka injoruar kërkesën e tyre për interpelancë për të diskutuar rreth drejtësisë në vend dhe me të vetmen kërkesë dorëheqjen e ministrit Hajredin Kuçi.
Megjithatë, kryesuesi ka renditur si pikë të fundit të rendit të ditës interpelancën me kryeministrin edhe pse ai nuk ka konfirmuar pjesëmarrjen.
Donika Kadaj-Bujupi tha se nuk do të flasin me murin por duan që kryeministri të jetë i pranishëm gjatë interpelancës.
AAK: Mustafa ka gënjyer votuesit
Donika Kada-Bujupi e AAK-së ka akuzuar kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa se nuk po i përgjigjet interpelancës, e cila sipas saj do të duhej të mbahej sot.
Ajo tha se kjo ishte kërkesë e tri partive opozitare. Kada-Bujupi tha se Mustafa gjatë fushatës ka folur për respektimin e ligjit, por në momentin që ikë nga deputetët dhe kjo sipas saj tregon se ai ka gënjyer votuesit dhe të gjithë qytetarët e Kosovës.
Ajo tha se kuvendi duhet të merret me këtë çështje pasi që Mustafa ka për obligim t’i përgjigjet deputetëve.
Menjëherë ka reaguar, deputeti i LDK-së, Ismet Beqiri, i cili tha se nuk janë kundër futjes së rendit të ditës dhe nëse kjo futet në rend ditës kryeministri do të jetë këtu.