Kryeministri Isa Mustafa gjatë fjalimit të tij në Tiranë në Forumin Ekonomik të Vjenës i cili si duket është mbajtur në formatin Gymnich, pa ekspozuar simbole shtetërore për shkak të refuzimit të Serbisë për të njohur Kosovën si të barabartë, është angazhuar për bashkëpunim edhe me Serbinë. Ai ka thënë se Kosova dëshiron të lidhet me autostradë me shtetin serb.
Bashkëpunimi dhe stabiliteti mes vende të rajonit, ishte në thelb të fjalimit të kryeministrave të Shqipërisë, Kosovës, Serbisë, Malit të Zi, Bosnjës dhe Maqedonisë, gjatë Forumit Ekonomik të Vjenës. Takimi i SEECP po zhvillohet prej dy ditësh në kryeqytetin shqiptar, duke mbledhur bashkë në një event liderët e gjashtë shteteve të rajonit.
Paneli i parë është paneli politik i kryeministrave të rajonit me temën, “From Berlin to Vienna: Bringing back geopolitical certainty to the Ëestern Balkans”. Por këtij paneli i mungon kryeministri i Greqisë, Aleksis Cipras, i cili do të përfaqësohet nga zv.ministri i Jashtëm, Nikos Huntis.
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, e përqendroi fjalimin e tij në mundësitë e bashkëpunimit me Serbinë, Maqedoninë dhe Shqipërinë. Mustafa bëri të qartë disa nga kërkesat e Kosovës si shtet, duke theksuar rritjen e përkrahjes nga institucionet ndërkombëtare dhe të Bashkimit Evropian.
“Për ne me rëndësi që bashkarish të punojmë të ndërtojmë paqe në këtë pjesë të Evropës, stabilitet dhe të krijojmë kushte që njerëzimi ta ketë më mirë jetën në gjithë vendet tona. Mosmarrëveshjet do i shndërrojmë në ura të bashkëpunimit dhe në synimet tona që të gjithë së bashku të gjendemi në BE. Kjo është synimi jonë si Kosovë. Kemi si vend specifikat tona që kanë të bëjnë me ngecjet në zhvillim ekonomik, karshi tregut evropian dhe botëror, infrastrukturën e munguar që duhet bërë sipas standardeve të BE-së, me një nevojë prë përkrahje më të madhe të institucioneve ndërkombëtare.
Të punojmë me kushte të përbashkëta me vende të tjera të rajonit. Kemi punuar në disa projekte të përbashkëta, kemi punuar me Shqipërinë për autostradën, që duam të lidhemi me Serbinë, që të shërbejë për komunikim ekonomik dhe me qytetarët mes vendeve tona. Po punojmë në lidhjen tonë me Maqedoninë, brenda 3 viteve në kufijtë e Maqedonisë do përfundojë me autostradën e re.
Infrastrukturë hekurudhore me Maqedoninë dhe Serbinë. Në fushën e energjetikës kemi punuar në mbështetje të BE-së, dhe me Shqipërinë që do përfundojë këtë vit dhe do fuqizohet vitin tjetër. Bashkëpunimi tregtar dhe turizmi janë me rëndësi, se jemi vende të vogla, por me mundësi dhe potenciale të mëdha.
Mundësi të punojmë në zhvillimin e tregut regjional. Ndërlidhjes me tregun evropian, që të gjendemi në familjen evropiane. Kosova është vend i hapur për bashkëpunim. Shumë nga çështjet e hapura me Serbinë t’i zgjidhim me dialog në interes të qytetarëve”, tha Mustafa.