Kryeministri Isa Mustafa deklaroi sot ajo cfarë po shkruhet për kinse themelimin e komunës së Prilluzhës, është sajesë e radhës për të destabilizuar vendin.
“Askush nuk është duke biseduar dhe në asnjë procedurë nuk është themelimi i Komunës së Prilluzhës, siç po trumbetohet në disa media dhe nga disa individ”, deklaroi kryeministri Mustafa në llogarinë e tij në facebook.
“Ne kemi nevojë ta ndërtojmë dhe zhvillojmë këtë shtet, e jo që çdo ditë të sajojmë nga një rast të ri për të shqetësuar qytetarët dhe për ta destabilizuar vendin”, deklaroi ndër të tjera kryeministri i vendit.
Por tre ditë më parë, me 2 mars, ndryshe ka deklaruar Bajram Gecaj, zv.ministër në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal.
Gecaj në një deklarim për lajmi.net tha se institucionet e Kosovës nuk e përjashtojnë mundësinë e krijimit të një komune të re në Kosovë, me shumicë serbe, të njëmbëdhjetën më radhë. Ai pati mohuar se një gjë e tillë është kushtëzuar me votë nga Lista Serbe, për zgjedhjen e Hashim Thaçit si president.
Ai pati thënë se për krijimin e komunave të reja janë dakorduar në marrëveshjen e koalicionit që kanë me Listën Serbe, që është bërë në fillim të mandatit.
“Këto se a do të ketë komuna të reja ose jo do të vendoset pasi të bëjmë një fizibilitet në kuadër të ministrisë tonë që të marrim vesh se si kanë funksionuar komunat e reja, t’i caktojmë disa kushte për themelimin e komunave të reja. Kështu që nëse do të ketë komuna të reja që të jenë funksionale dhe të mos kenë probleme të cilat i kanë komunat e tanishme”, ka thënë Gecaj.
Ditë më parë edhe deputeti i Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës, Nenad Rashiq deklaroi se është duke u biseduar rreth kësaj çështje. Megjithatë, Rashiq mohoi se një gjë e tillë ka qenë kusht nga Lista Serbe për të dhënë mbështetjen e deputetëve të saj për zgjedhjen e Hashim Thaçit president.
Përndryshe në këtë kontekst është raportuar se katër fshatrat : Prilluzhë, Plemetin, Babin Most dhe Gracë, do të mund të formojnë komunën e re, fshatra këto që aktualisht i takojnë komunës së Vushtrrisë dhe komunës së Obiliqit./lajmi.net
Në anën tjetër, kryetarët e dy komunave, Vushtrrisë dhe Obiliqit kanë kundërshtuar që të krijohet dhe një komunë e re duke u marrë territor nga komunat e tyre./lajmi.net/

















