Kryeministri Kurti zbuloi pllakën përkujtimore të Masakrës së Pastaselit

E publikuar: 31/03/2023 15:13
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në 24-vjetorin e Masakrës së Pastaselit, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bëri homazhe te lapidari dhe varrezat e dëshmorëve.

Së bashku me tre të mbijetuarit e kësaj masakre dhe Kryetarin e Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, zbuloi pllakën përkujtimore të të rënëve në fshatin Pastasel të Komunës së Rahovecit.

Duke kujtuar viktimat e gjenocidit të Serbisë, Kryeministri Kurti tha se të përbashkuar në këtë vend, ku forcat serbe e kryen masakrën e Pastaselit plot 24 vite më parë, ne shënojmë historinë e këtyre viktimave dhe denoncojmë kryerësit e këtij krimi.

Kjo masakër, nga e cila ende ka persona të zhdukur, u krye vetëm një javë pas fillimit të fushatës ajrore të bombardimeve të NATO-s mbi Jugosllavi, duke vrarë e masakruar 106 shqiptarë.

“Pushkatimet këtu kanë ndodhur në disa grupe dhe grupi i parë i të pushkatuarve është përbërë nga fëmijët prej moshës 13 deri në moshën 17 vjeçare. Kjo tregon se çfarë mizorie e barbarie përbën krimi i pashembullt i Serbisë gjenocidale këtu në Pastasel më 31 mars të vitit 1999.

Kryeministri Kurti tha se si përfaqësues e udhëheqës të institucioneve të Republikës së Kosovës bashkërisht e kemi për obligim t’i nderojmë dhe t’i kujtojmë të gjitha jetët njerëzore që u shuan nga vrasjet e kryera nga regjimi fashist i Sllobodan Millosheviqit dhe i autoriteteve të tjera të Serbisë urdhërdhënëse e ekzekutore.

Ngritja e kësaj pllake përkujtimore, është jo vetëm një shenjë, por edhe një zotim i yni ndaj kujtesës sonë si popull dhe ndaj kërkesës tonë për drejtësi, tha kryeministri Kurti.

Në këtë tubim përkujtimor, të pranishëm ishin edhe Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Andin Hoti, si dhe përfaqësues institucionalë e qytetarë të shumtë.