Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka takuar Zëvendës Presidenten e Zvicrës, Viola Amherd dhe Ministrin e Ekonomisë, Guy Parmelin, në kuadër të Forumit Ekonomik Botëror që po mbahet në Davos të Zvicrës.
Kryeministri Kurti ka shprehur mirënjohjen e thellë për kontributin e Zvicrës dhënë për Kosovën dhe për ndihmën e vazhdueshme në programet e zhvillimit të ekonomisë dhe demokracisë.
U theksua rëndësia e mërgatës sonë në Zvicër, që janë urë lidhëse mes dy shteteve tona dhe kontribuojnë në ekonominë e të dyja vendeve.
U bisedua për mundësitë për më shumë bashkëpunim në ekonomi dhe mbrojtje. Me theks të veçantë u bisedua edhe për shkëmbim të përvojave në teknologji të informacionit dhe edukim.
Kryeministri Kurti ritheksoi përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për reforma strukturore në ekonomi, politikë, sundim të ligjit dhe demokraci funksionale në përputhje me standardet evropiane.