Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti sot në një takim Eurodeputetin e grupit parlamentar të EPP-së, Lukas Mandl, i cili bartë edhe funksionin e Shefit të Misionit Vëzhgues të BE-së për zgjedhjet në Kosovë.
Takimi kishte në qendër të diskutimit fushëveprimin e Misionit Vëzhgues të BE-së dhe reformën zgjedhore në vend. U bisedua për zgjedhjet që do të mbahen në komunën e Mitrovicës e Veriut, Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Zveçanit dhe për rëndësinë e mbarëvajtjes së tyre.
Kryeministri Kurti theksoi se pluralizmi politik është shumë i rëndësishëm për demokracinë dhe zhvillimin e saj. Ai po ashtu e informoi për emërimin e Nenad Rashiq, ministër për Komunitete dhe Kthim nga radhët e komunitetit jo-shumicë serb në Kosovë, si dhe për planet për dorëzimin e aplikimit të Republikës së Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Eurodeputeti Mandl u shpreh i kënaqur me formimin e Komisionit Ad-hoc për Reformën Zgjedhore dhe dha mbështetjen e tij për aplikimin e Kosovës në BE dhe procesin drejt anëtarësimit.
Në takim, kryeministri Kurti ishte i shoqëruar nga zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, kurse eurodeputeti Mandl nga Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, ambasadori Tomáš Szunyog.