Kryeministri Kurti priti në takim seminaristët e Seminarit të 39-të Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare

E publikuar: 03/09/2021 18:15
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

“Kam ardhur në seminar ta mësoj gjuhën shqipe, që të mund të flas shqip me nënën time”, tha arbëreshja nga Italia, Tinna Zaccato, në takimin që Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mbajti me seminaristët e Seminarit të 39-të Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, në ndërtesën e Qeverisë.

Dashuria e sociologes arbëreshe për gjuhën shqipe tregon përkushtimin dhe përpjekjet e arbëreshëve të Italisë dhe mërgatës shqiptare për ruajtjen dhe kultivimin e shqipes ndër breza.Studimi dhe njohja e gjuhës shqipe janë të domosdoshme për ta kuptuar popullin tonë e për ta mësuar historinë tonë, tha kryeministri Kurti në hapje të takimit me seminaristët.

Shqiptarët janë kombi i gjuhës, mbase dhe më shumë se sa i flamurit dhe i simboleve të tjera. Më thellësisht dhe më gjerësisht janë kombi i gjuhës, theksoi kryeministri. Prandaj, vazhdoi ai, studimi i gjuhës shqipe është i domosdoshëm për ta kuptuar popullin tonë e për ta mësuar historinë tonë.

Roli i Seminarit dhe kontributi i studiuesve në promovimin e gjuhës, letërsisë dhe kulturës shqiptare, si vlera të çmuara të popullit tonë, u vlerësua lartë në takim.Seminari u ka mbijetuar kohërave me të vështira në Kosovë dhe në Shqipëri.

Edhe atëherë kur bashkëpunimi me vendet e tjera ka qenë pothuajse i pamundur, studiues nga Shqipëria dhe vendet e tjera janë mbledhur një herë në vit, që nga viti 1974 për Seminar. Falë kontakteve që janë vendosur dhe janë mbajtur përmes Seminarit, shumë studiues nga Kosova kanë zhvilluar vizita e kanë vendosur bashkëpunim me studiues në Kalabri, Çamëri, Anadolli e vende të tjera ku ka shqiptarë.

Kryeministri Kurti konfirmoi angazhimin e Qeverisë për studimet e shqipes dhe shkollën shqipe në vendet ku jeton mërgata shqiptare.“Jemi në kohën kur kemi hartuar një program qeverisës që angazhohet edhe për shkollën shqipe në mërgatë, sepse besojmë që është i mundur integrimi pa asimilim i shqiptarëve në Evropë dhe në botë.

E mësimi i gjuhës shqipe është çelësi i integrimit pa asimilim”, theksoi kryeministri.Në takim ishin të pranishëm Ministrja e Arsimit Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, znj. Arbërie Nagavci, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, z. Hajrulla Çeku, Dekania e Fakultetit të Filologjisë, znj. Lendita Rugova, Drejtori i Seminarit, z. Shkumbin Munishi, Shefi i Departamentit të Gjuhës Shqipe, ish-drejtor i Seminarit, Bardh Rugova, Shefi i Departamentit të Studimeve Orientale, Abdulla Rexhepi, studiuesi nga Universiteti i Shën Petersburgut, njëherësh konsull i Shqipërisë për Petersburg, Alexander Novik, studiuesi dhe përkthyesi nga Çekia, Martin Surovçak, si dhe studentët:

Martin Di Maggio dhe Tina Zaccato, arbëreshë të Italisë, Nils Gundlach nga Holanda, Vladimir Georgiev nga Bullgaria, Angela Popovska nga Maqedonia e Veriut, si dhe Afra Esra nga Turqia.

Seminaristët dhe organizatorët u shprehën mirënjohës për takimin. Ata falënderuan kryeministrin dhe Qeverinë për mbështetjen e Seminarit dhe të studimeve albanologjike.