Në prag të shënimit të 27-vjetorit të Masakrës së Reçakut, Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, mirëpriti sot në takim ambasadorin William Walker, ish-shef i Misionit Verifikues të OSBE-së, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij dhe bashkëpunëtorë.
“Gjatë një bisede të përzemërt, kryeministri u shpreh se është gjithmonë i lumtur ta mirëpresë dhe ta takojë ambasadorin Walker, duke shprehur mirënjohjen e tij të thellë për rolin historik që ai ka pasur për popullin e Kosovës në ekspozimin e krimeve gjenocidale të Serbisë, për miqësinë e çmuar që vazhdon dhe për angazhimin e tij të pareshtur në shërbim të së vërtetës dhe drejtësisë”, thuhet në njoftim.
Në njoftim thuhet se bashkëbiseduan për zhvillimet e fundit në vend, si dhe për përgatitjet për ceremoninë përkujtimore të Masakrës së Reçakut, e cila do të mbahet nesër në komunën e Shtimes, ku të dy do të marrin pjesë.

















